E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tropoja, vendi prej nga Shqipëria merr dritën

Nga cikli Shqipëria që po ndryshon
Poshtë maleve deri tek valët e një liqeni të stërgjatur për në Tropojë, rruga është një stërmundim i fortë për të prodhuar dritën. Tashmë pa legjenda, shtëpitë e rralla me antena të vetmuara të kanaleve satelitore, tregojnë se përpjekja e këtij rajoni për të sfiduar izolimin dhe varfërinë është mbresëlënëse. Udhëtimi me traget përmes liqenit të Komanit është si të trokasësh në portat e shkëmbinjta të Alpeve, me përthyerje dritash, rrezatimesh, mjegullash dhe kujtimesh të qytetërimeve të vjetra antike si ai i Komanit, të dimrave të zhurmshëm dhe vetmisë tronditëse të epikës legjendare.
Fëmijët e mij vijnë në këtë udhëtim me një pamje ere sipër pishave, me padurimin për tu gjendur në Tropojë, në këtë vend të bukur i cili hyn në edicionet e lajmeve sa herë që në Tiranë ndjehet kriza e dritave dhe pyetjet për nivelin e ujit në Fierzë bëhen gati torturuese.
Thellë në sytë e udhëtarëve një pjesë e të cilëve turistë çekë, anglezë, holandezë apo amerikanë dhe udhëtarëve të tjerë, reflektohet imazhi i maleve të puthitura me qiellin. Nëpër katundet e rralla shfaqen tufat e dhive dhe me rrallë të deleve si dhe udhëtarët  që presin nëpër stacionet e improvizuara të anijeve të vogla, motobarkave, barkave, etj, që lidhin ngushtësisht jetën e këtyre banorëve.
Askund në botë stacionet nuk kanë një kuptim me lehtësues, por dhe më trishtues njëkohësisht si nëpër grykat maleve të Komanit. Stacionet e metrove të Nju Jorkut, Parisit, Londrës, zhurma dhe ikja nëpër tym dhe mjegull me një orar strikt dhe plot rrëmujë, nuk e kanë kuptimin e një dore të zgjatur të një vogëlushi në breg të liqenit, apo gjyshit të tij me qeleshe të bardhë për të marrë rrugën dhe zbritur në qytet për të blerë një kompjuter, aparat digital apo librin e fundit të Ismail KadaresëDarka e gabuar.
Prej shumë kohësh Tropoja ka komunikuar me pjesën tjetër të vendit nëpërmjet këtij liqeni deri në Koman ku e pret një tunel i ngushtë, shpeshherë i shndërruar në metaforë të zgripit të jetës. Për disa vite, rruga e Qafë Malit ishte gati e pakalueshme dhe Tropoja mori frymë vetëm nëpërmjet këtij tuneli i cili gjithsesi, i shërben bukur turizmit, por nuk zgjidh nevojat e përditshme sociale dhe ekonomike të rajonit. Kohë më parë kryeministri Berisha ka paralajmëruar fillimin e rrugës së bregut të Drinit, rreth 70 km e gjatë, e cila do të lidhte Fierzën me Vaun e Dejës. Rruga e skicuar në fillim të shekullit të njëzetë  nga Austriaket dhe e filluar dhe e lenë përgjysmë nga qeveria komuniste në vitet 70, sipas kryetarit të Bashkisë B. Curiri, Nurendin Ahmetaj, do të mund të inkuadronte përfundimisht rajonin verilindor, përfshirë edhe gjysmën e Kosovës dhe një pjese të Malit të Zi me pjesën tjetër të vendit dhe sidomos bregdetin.
Zakonisht tragetet qarkullojnë një herë në ditë dhe nxitimi për të kapur oraret në të dyja anët e liqenit është gati torturues. Orët e hershme të zgjimit, radhët e ankthit, pritjet, zhurma dhe më në fund akomodimi kthehet në një farë lodhje e cila kalon vetëm pasi ke bërë metrat e para nëpër liqenin blu me përfytyrimet e grykave të maleve dhe degëve të pishave në ujëra që poetët Hamit Aliaj, Skënder Buçpapaj, Anton Papleka, Almona  Bajrami, Jaho Margjeka etj., i kanë bërë drithëruese në poezitë e tyre.
1. Aty ku bashkohet Drini me Valbonën
Pas rreth dy orëve udhëtimi, gjendemi në Fierzë. Fëmijët e mi  janë shumë të lidhur me Tropojën dhe imagjinatën e krijimit të dritës në Fierzë. Një herë, kur vajzën e madhe Sindin e kishte pyetur një shoqe e saj e klasës së gjashtë se nga ishte me orgjinë, ajo i  kishte thënë me mburrje nga Tropoja. Për tia bërë më të qartë vendlindjen shoqes së sapo ardhur nga SHBA-të, ajo i thotë se ju besoj duhet ta dini, Tropoja është vendi prej nga Shqipëria merr dritën, duke patur parasysh Fierzën, Komanin, Valbonën dhe hidrocentralet e mëdha të rrafshit verior.
Fierza është një komunë e njohur në vend. E ndërtuar aty ku bashkohet Drini me Valbonën ajo është përpjekur të përshtatë në mënyrën e saj, ish-kantierin e dikurshëm të hidrocentralit me infrastrukturën e një qyteze. Një gjimnaz, spitali, ambientet e komunës, kalatat e ankorimit të trageteve që thuajse nuk hyjnë në përdorim, dhe gjurmët e ish-kantierit të dikurshëm përbëjnë qytezën që shtrihet nga Raja, Tplani, Dushaj i Epërm e deri në Degë, fshati i origjinës së heroit të demokracisë dhe pluralizmit në Shqipëri Azem Hajdari.
Azemi, bashkë me thuajse 100 % studentët tropojanë dhe intelektualë të rinj nga kjo krahinë që jetonin në Tiranë, qenë bërë drejtuesit dhe frymëzuesit e lëvizjes studentore antikomuniste në dhjetor 1990, si dhe themelues të të parës parti opozitare në vend, pas rreth 50 vjetësh të regjimit totalitar komunist. Fakti që në krye të kësaj lëvizje u vunë Azem Hajdari, Sali Berisha si dhe figura të tjera të shquara të kësaj krahine, do ti mjaftonte regjimit të vjetër komunist dhe pasardhësve të tyre, për ta shpallur Tropojën një vend armik dhe një objekt të përhershëm hakmarrje gjatë gjithë viteve të pluralizmit.
Besnik Dusha, kryetar i Komunës së Fierzës është një nga drejtuesit me jetëgjatë dhe nga më të votuarit e pushtetit lokal në rang vendi. Për disa mandate me radhë ai ka transformuar rrugët e komunës, shkallët, ujësjellësit dhe lagjet. Për këtë punë pasionante, përkushtim, ndershmëri dhe komunikim të mirë me njerëzit tani së fundi është zgjedhur edhe kryetar i Degës së PD-së Tropojë. Familja Dusha është nga më të persekutuarat e Tropojës dhe Veriut. I famshmi Hoxhë Dusha, ka lënë gjurmë në historinë kombëtare për mençurinë, patriotizmin dhe oratorinë e tij të rrallë. Ai vdiq në burgjet komuniste prej torturash të egra, ndërsa të tjerë pas tij deri tek Haxhi Dusha, përfunduan burgjeve, kampeve të internimeve dhe përndjekjeve të pamëshirshme. Kjo familje ju kundërvu rebelimit komunist të vitit 1997 duke i dhënë edhe dy jetë të tjera lirisë së këtij vendi. Sadri Ponari, profesor i historisë dhe drejtues i arsimit për disa vjet në këtë komunë  shpjegon se në Tropojë komunizmi u urrye për shumëçka, por dy qenë arsyet kryesore. E para ideologjia e tij shpërfytyruese dhe së dyti tradhtia që udhëheqësit komunistë të vendit i bënë Kosovës dhe shqiptarëve që pavarësisht premtimit për tu bashkuar me pjesën tjetër të Atdheut, mbetën përsëri nën jugosllavi. Nga fundi i luftës së Dytë Botërore tropojanët formuan Brigadën e 25 Sulmuese nën Komandën e Veli Niman Doçit, jo për çështje ideologjike, por kombëtare. Ata në pak ditë ia dolën të çlironin për herë të dytë Kosovën nga pushtuesit e huaj, duke bashkuar përkohësisht kombin, por shpejt do të tradhtoheshin nga udhëheqja komuniste e vendit. Këta luftëtarë, në radhët e të cilëve ishin edhe tre xhaxhallarët e mi, Fazlia, Xhemali 15-vjeçar dhe Alia, do të marshonin në mënyrë të çuditshme drejt Bosnjës, duke u izoluar në malet me dëborë dhe ngrica, pasi u kishin dorëzuar Kosovën serbëve. Im gjysh Bubrrrec Alia, i cili ishte plagosur në luftë kundër serbëve në Kosovë, pati qarë nga dhimbja për dramën që po i përgatitej Kosovës.   
Ishte diçka e tmerrshme. Lufta për liri dhe ëndrra për bashkim ishte shndërruar papritur në një tradhti ndaj kombit dhe rindarje të re. Masakra e Tivarit, çarmatosja e pabesë e shqiptarëve të Kosovës, dorëzimi i Shaban Pollushës dhe luftëtarëve të tjerë nacionalistë dhe ekzekutimet e tyre në errësirë, janë vepra të tradhtisë së komunistëve të Tiranës nga Enver Hoxha tek Ramzia Alia, i cili udhëhiqte politikisht formacionet ushtarake  shqiptare në ish-Jugosllavi. Për shkak të denoncimit që Veli Nimani i bëri kësaj tradhtie kombëtare, do të ekzekutohej në vitin 1946 në mënyrë misterioze në Tiranë. Siç doli më vonë porosia ishte për të mbyllur përfundimisht këtë çështje. Me qindra tropojanë u dënuan dhe u internuan, ndërsa dhjetëra familje të tjera të krahinës për ti shpëtuar përndjekjes emigruan në perëndim, kryesisht në SHBA.
2. Metafora e ujit dhe barit
Pasi kalojmë kodrën e Bardhës, përpara na shfaqet fshati Tpla, një nga më të bukurit në vend, i shquar për fushat e paana, livadhet, lulet, ujërat dhe hijet e lisave me vajza të bukura, por edhe humorin, rakin

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›