Tropojë-Delvinë, rruga e rëndësishme e mandatit 2009-2013

Kryeministri Berisha shpalli dje në Peshkopi ambicien e qeverisë së tij për të përfunduar brenda mandatit të dytë unazën e madhe kombëtare, që nis nga Tropoja e përfundon në Delvinë, si një projekt që maksimalizon projektet e rëndësishme të Rrugës së Arbrit dhe Boshtit të Jugut
Në vijim të turit elektoral kryeministri Sali Berisha u ndal dje në qytetin e Peshkopisë, ku inauguroi disa objekte të rëndësishme për qytetin. Fillimisht Kryeministri inauguroi rikonstruksionin e Pallatit të Sportit të lojërave me dorë, një investim prej rreth 70 milion lekë, bashkëfinancim i qeverisë shqiptare dhe asaj holandeze përmes një granti. Më pas, kryeministri Berisha inauguroi Konviktin e shkollës pedagogjike të Peshkopisë, investime me vlerë 50 milion lekë si dhe një rrugë të këtij qyteti.Kryeministri vlerësoi se këto investime, janë sipas të gjitha parametrave bashkëkohore, evropiane dhe do ti shërbejnë më së miri nevojave të qytetarëve dhe rinisë së qytetit. Kryeministri garantoi se në mandatin e dytë investime të tilla do të shumëfishohen si një domosdoshmëri për një jetesë sa më pranë niveleve evropiane.
Kryeministri Berisha bëri një bilanc të arritjeve të qeverisë në katër vite duke deklaruar se Shqipëria ia doli të lartësohej si asnjëherë më parë.
“Në 4 vite përpjekje të përbashkëta ne e renditëm Shqipërinë në krye të rritjes ekonomike në Evropë për dy vite me radhë. Ne rritëm të ardhurat për frymë, nga 2300 dollarë, në 4200 dollarë. Ne nxorëm nga varfëria mbi 400 mijë shqiptarë. Se bashku me mundin djersin tonë ne ndërtuam dhe rindërtuam mbi 5900 km rrugë në mbarë vendin, ndërtuam aortën e kombit, korridorin e shqiptarëve”, u shpreh kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë theksoi se në 4 vite Peshkopia, komunat e saj, kanë pasur ndryshimin më të madh se asnjëherë më parë. Në Peshkopi janë në ndërtim e sipër rrugë kryesore të kombit, si rruga e Arbrit, e cila afron Peshkopinë më Tiranën dhe shkurton distancën Peshkopi-Tiranë së paku 50 %. “Afrimi juaj me Tiranën është lehtësia më e madhe që mund t’i bëhet transportit dhe zhvillimit të këtij vendi, afrimi juaj me Tiranën do ju afrojë ju me tregun, prodhimet tuaja të mrekullueshme do të kapin tregun më të madh të vendit, por ne nuk do të ndërtojmë vetëm Rrugën e Arbrit në këtë zonë, rruga po ecën me shpejtësi drejt Kalasë së Dodës. Autostrada Maqellarë-Peshkopi është tenderuar e tëra dhe rruga Selishtë-Burrel është në projekt dhe unë ju garantoj se gjatë mandatit të dytë ajo do të ndërtohet tërësisht. Sikundër do të lidhim Peshkopinë me Librazhdin dhe në këtë mënyrë ne do të kompletojmë rrugën më të gjatë të këtij kombi, unazën që fillon në Tropojë dhe përfundon në Delvinë”, deklaroi Berisha, duke theksuar se projekti ynë është Peshkopia evropiane, Shqipëria evropiane, në këtë projekt ju qytetarë të Peshkopisë, banorë të komunave të këtij rrethi duhet të udhëtoni në rrugë të standardeve evropiane, me projektin tonë secili prej jush aty ku jeton duhet të ketë ujë 24 orë. Kryeministri premtoi rritje të mëtejshme të pagave dhe pensioneve, për të parakaluar 6 vendet anëtare të BE. Ndërkohë, kryeministri Berisha nuk harroi të përmendë zotimin solemn të qeverisë për liberalizimin e vizave brenda vitit të parë të mandatit të dytë qeverisës.Por, tha Berisha, duke votuar 10-ën, 10-ta janë fëmijët tuaj, 10 është Shqipëria blu, 10 është partia demokratike, 10 është Evropa e cila vitin e parë të mandatit tonë të dytë do të heqë vizat për shqiptarët. Pas vizitës në Peshkopi, kryeministri Berisha vijoi vizitën e tij në Bulqizë, ku fillimisht inauguroi përfundimin e punimeve për segmentin e parë të rrugës së Arbrit me gjatësi 20 kilometra. Kryeministri u shpreh se kjo rrugë e parametrave tërësisht evropiane, është rruga tjetër më e madhe e kombit, e cila do të shkurtojë me 50 % distancën me Tiranën, duke i dhënë mundësi të reja zhvillimi kësaj zone.
...