"Do të ndjehesha më i kënaqur nëse do ishte goli i fitores"
• Erjon Bogdani ka qenë heroi i Livornos në ndeshjen kundër ish-skuadrës së tij Rexhinës, teksa me golin që shënoi në pjesën e dytë me kokë i dhuroi një pikë të çmuar ekipit të drejtuar nga Kamoleze. "Shumë njerëz më kishin thënë se Bogdani është tjetër lojtar në fazën e dytë të kampionatit dhe mendoj se kjo u vërtetua dje (të mërkurën), - ka thënë trajneri i Livornos, Kamoleze. - Bogdani ka qenë gjithnjë një plus i madh për skuadrën, por i ka munguar goli. Shpresoj që tani ai të mos ndalet më dhe të shënojë deri në fund të sezonit, sepse kështu do të mund të arrijmë objektivat tona". Ndërkaq, i lumtur ka qenë edhe sulmuesi i Kombëtares shqiptare, për të cilin goli kundër Rexhinës ishte i dyti sezonal. "Luftuam deri në fund dhe arritëm që t'iu imponoheshim kundërshtarëve - ka thënë Bogdani. - Jam i lumtur për golin që shënova, por do të isha akoma më shumë nëse ai gol do të na kishte dhënë fitoren. Shpresojmë të vazhdojmë kështu deri në fund të sezonit", ka thënë 31-vjeçari për "calciotoscano.it". Bogdani do të mungojë nesër në ndeshjen në transfertë kundër Udinezes për shkak se të mërkurën mori kartonin e tretë të verdhë dhe sipas rregullores, ndeshjen e ardhshme nuk luan. Në ndeshjen e djeshme mes Eintrahtit të Frankfurtit dhe Kotbusit, Ervin Skela ka qenë lojtari më i vërshëllyer gjatë gjithë takimit që përfundoi 2-1. Mesfushori shqiptar luajti si titullar kundër ish-skuadrës së tij, por tifozët nuk e kanë kursyer për asnjë moment vlonjatin, pasi sa herë që ai kishte topin në këmbë reagimi ishte tepër i fortë nga shkallët e stadiumit. Ervin Skela me fanellën e Eintrahtit ka zhvilluar 82 ndeshje dhe ka shënuar 26 gola. Mesfushori shqiptar u bë një idhull i kësaj skuadre.