Samit ndërkombëtar për emigracionin në Shqipëri
• Më shumë se 25% e shqiptarëve janë emigrantë. Sipas këtyre të dhënave asnjë vend tjetër i Evropës Qendrore e Lindore nuk është prekur nga fenomeni i emigracionit në një mënyrë të tillë për një periudhë kaq të shkurtër kohore.Studiuesi britanik Russell King i Shkollës së Studimeve Evropiane të Universitetit Sussex shkon deri atje sa ta konsiderojë Shqipërinë një lloj "laboratori për studimin e proceseve migratore”. Për të diskutuar mbi këtë fenomen, samiti ndërkombëtar "Jetojmë së Bashku", një projekt i iniciuar nga British Council dhe zbatuar nën patronazhin e Këshillit të Evropës, mblodhi në Londër politikanë, vendim-marrës, gazetarë dhe drejtues të shoqërisë civile nga 25 vende të ndryshme të Evropës. Pjesëmarrësit diskutuan gjatë tre ditëve të samitit rreth dy temave madhore e të ndërlidhura që janë në qendër të projektit; Impakti i emigracionit në shoqëri dhe pjesëmarrja e minoriteteve në jetën publike. Delegacioni shqiptar përbëhej nga ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu, ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta Kosta Barka, si dhe nga një përfaqësi drejtuesish të fushës së arsimit, politikave rinore, shoqërisë civile e mediave. Projekti "Living Together" në vetvete synon të forcojë mirëkuptimin midis kulturave të ndryshme dhe të promovojë pjesëmarrjen aktive dhe konstruktive për prosperitet të shoqërisë njerëzore. Projekti inkurajon bashkëpunimin midis gjeneratave aktuale e të ardhshme të liderëve të cilët priten të kontribuojnë në mënyrë intensive në riformulimet shoqërore në të cilat diversiteti vlerësohet dhe mirëpritet dhe ku komuniteteve të veçanta u mundësohet të kenë zërin e tyre. Gjatë punimeve të samitit, nga paneli i përzgjedhur për të trajtuar temën e impaktit të emigrantëve në shoqërinë e sotme evropiane, ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, theksoi se mendimi i përgjithshëm që mbizotëron në vendet pritëse, është se emigrantët në përgjithësi dëmtojnë mirëqenien ekonomike të shoqërisë vendase; se ata bëhen barrë për buxhetin publik. Kjo pasi paguajnë më pak taksa dhe kontribute ndërsa nga ana tjetër pretendojnë përfitime dhe shërbime sociale. Por në të vërtetë studimet tregojnë të kundërtën. Elsa Ballauri, drejtuese e Grupit Shqiptar të të Drejtave të Njeriut u shpreh se samiti tejkaloi pritshmërinë duke sjellë mes të tjerash edhe një risi në mënyrën e konceptimit dhe organizimit dhe ndikoi pozitivisht në rikonceptimin e disa parimeve mbi të cilat zhvillohet shoqëria civile shqiptare. Duke u ndalur më specifikisht tek emigrantët shqiptarë, ministrja e Integrimit të vendit tonë, pohoi se ata janë integruar mirë tashmë në shoqëritë e vendeve ku kanë emigruar, duke treguar dhe kapacitetet e tyre në nivele të larta të administratës vendase e në fushën akademike.