Tropojë, masakrohet taksisti 33-vjeçar
EKZEKUTIMI/ Vrasja e Avni Sinanit ndodhi pasi u akuzua se i kishte bërë "shenjë" gruas së Jetmir Hasanpapës
Dy vëllezërit, si dhe bashkëshortja e njërit prej tyre morën pjesë në "gjyqin" për vrasjen e taksistit
TROPOJË - Vrasje makabër në fshatin Tpla të rrethit të Tropojës. Dy vëllezër nga fshati Tpla i Tropojës, Jetmir dhe Granit Hasanpapa kanë masakruar me mjete të forta një taksist 33-vjeçar deri në vdekje dhe më pas e kanë transportuar kufomën rreth 100 km për ta hedhur në një greminë në brigjet e liqenit të Fierzës tek ura e Drinit të Bardhë që lidh Kukësin me Krumën. Ndërsa automjetit të tij i është vënë zjarri për të humbur sa më shumë gjurmët. Vrasja ka ndodhur mesditën e 17 shkurtit, rreth orës 12:00, ndërkohë që viktima është denoncuar si i zhdukur rreth 36 orë më vonë. Forcat e policisë speciale në bashkëpunim me forcat e komisariatit të policisë Tropojë kanë arrestuar vëllezërit Jetmir e Granit Hashanpapa, si dhe bashkëshorten e Jetmirit, Almeridën. Prangosja e bashkëshortëve është bërë në një pyll në fshatin Zogaj teksa tentonin të arratiseshin për në Kosovë, ndërkohë që bashkëpunëtori tjetër në krim, Granit Hasanpapa, është arrestuar në Qafë-Prush. Kufoma e masakruar e Avni Sinanit është gjetur pasditen e së enjtes. Ndërkohë është gjetur edhe automjeti i viktimës me të cilin autorët kanë realizuar krimin, i cili ishte i djegur plotësisht.
Ngjarja
Viktima Avni Sinani, babai i tre fëmijëve punonte si taksist në linja të brendshme të rrethit të Tropojës. Një ditë autori i krimit Jetmir Hasapapa ka qenë duke kaluar pranë stacionit të taksive bashkë me gruan e tij, Almerida Hasanpapa. "E sheh këtë personin? Ky ma ka bërë me shenjë" mësohet t'i ketë thënë Almerida të shoqit për Avniun. Atë moment, Jetmiri ka vendosur të vërë në vend nderin e nëpërkëmbur të së shoqes. Jetmir Hasanpapa, bashkë me vëllanë e tij Granitin kanë shkuar pranë stacionit të taksive ku i kanë kërkuar Avni Sinanit që t'i çonte nga Bajram Curri për në fshatin e tyre Tpla. Viktima bashkë me ta është nisur në drejtim të fshatit. Kur kanë mbërritur në qendër, Jetmir Hasanpapa i ka kërkuar që taksisti t'i çonte në një vend sipër fshatit Tpla, ku ai kishte një minierë kromi që e shfrytëzonte privatisht. Para se të shkonte në drejtim të minierës së kromit, Jetmiri i ka thënë taksistit Avni Sinani që do të merrte me vete edhe bashkëshorten e tij Almeridën. Ndërkohë që në shtëpi Jetmir Hasanpapa ka marrë edhe mjetin që do të realizonte krimin që ka qenë një bisht druri që përdoret për kazma. Dy vëllezërit, bashkëshortja e Jetmirit Almerida dhe viktima Avni Sinani janë nisur. Sapo kanë arritur pranë minierës, Jetmir Hasanpapa ka filluar t'i kërkojë llogari Sinanit për "shenjën" që i kishte bërë bashkëshortes. Ndërkohë që Avni Sinani e ka mohuar kategorikisht. Atëherë ka ndërhyrë bashkëshortja e tij, e cila i ka thënë Avniut: "Po, ma ke bërë me shenjë". Në këtë moment Graniti e ka kapur për krahu viktimën duke i kërkuar llogari, ndërsa Jetmiri e ka goditur disa herë me bishtin e kazmës, ku pas një rënkimi Avni Sinani ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Pas kryerjes së krimit, autori bashkë me bashkëshorten dhe vëllai i tij e kanë futur kufomën në bagazhin e makinës dhe janë nisur me shpejtësi drejt rrugës Bajram-Curri - Krumë - Kukës. Pasi kanë udhëtuar rreth 100 kilometër deri tek Ura e Drinit të Bardhë në hyrje të Kukësit, autorët e kësaj vrasjeje e kanë hedhur kufomën në një greminë me qëllim për të përfunduar në liqen. Por kufoma nuk ka përfunduar në ujë, po ka mbetur mes shkurresh për t'u gjetur sërish.
Arrestimi
Telefonata e viktimës me kushëririn çoi në zbulimin e vrasjes. Një telefonatë që ka bërë viktima me kushëririn e tij nxënës në gjimnazin e Bajram Currit, si dhe dëshmitarë të shoferëve të furgonëve të linjës Tpla-Bajram Curri ka çuar në zbulimin e kësaj ngjarjeje dhe në arrestimin e autorëve. Kushëriri i viktimës vetëm pak caste para vrasjes ka biseduar në telefon me Avni Sinanin, i cili i ka thënë se ishte në fshatin Tpla për të çuar dy pasagjerë në këtë fshat. "Zbulimi i kësaj vrasjeje ishte i vështirë, pasi familjarët denoncuan me shumë vonesë për zhdukjen e të afërmit të tyre", thotë shefi i komisariatit Hasan Hasanaj. Sipas tij, me marrjen e denoncimit janë mobilizuar të gjitha forcat e këtij komisariati për zbulimin e kësaj ngjarjeje. Pas marrjes së dëshmive, dyshimet kanë çuar tek vëllezërit Hasanpapa. "Ka shkuar në Krumë tek vjehrri bashkë me bashkëshorten, - ishte përgjigja e Granitit për policët lidhur me vëllanë. Por, çifti Hasanpapa ishte parë në një pyll në fshatin Zogaj. Menjëherë në drejtim të fshatit Zogaj janë nisur forca të shumta të policisë, ku kanë kryer arrestimin në flagrancë të bashkëshortëve, ndërkohë që më pas është arrestuar edhe 18-vjeçari Granit Hasanpapa, i cili ka rrëfyer në polici fije për pe krimin. Bëhet e ditur se Jetmir Hasanpapa ka qenë në burg për trafik automjetesh dhe dezertim nga ushtria. Viktima është dërguar në morgun e spitalit të Kukësit.