Shkodër, 200 tregtarë mbeten në borë
RESHJET/ Tregu i ri i fruta-perimeve, i ndërtuar dy vjet më parë, është shembur si pasojë e dëborës së rënë
Probleme ka pasur edhe me energjinë elektrike, ndërsa një pjesë e qytetit ka mbetur në errësirë totale
SHKODËR - Reshjet e dëborës kanë dëmtuar pemët dekorative të qytetit të Shkodrës disa prej të cilave janë thyer duke shkaktuar bllokim të përkohshëm të rrugëve të qytetit. Problemi më i madh është vërejtur në tregun e fruta-perimeve në afërsi të stadiumit, i cili është shembur plotësisht si pasojë e dëborës së rënë. Ky treg i ndërtuar i ri para rreth 2 vitesh ka pasur kundërshtime nga tregtarët për cilësinë e dobët, ndërsa shembja ka vërtetuar dyshimet e tyre. Janë rreth 200 tregtarë të fruta-perimeve që punonin në këtë treg, të cilët kanë mbetur në rrugë. "Që kur u ndërtua kemi ngritur zërin për cilësinë e dobët të punimeve. Dëbora e ka shembur plotësisht, ndërsa ne jemi të papunë dhe pa ndihmë ekonomike pasi jemi të regjistruar si biznese të vogla, -shprehen tregtarët.
***
Dëbora e rënë ka sjellë dhe këputjen e disa telave përcjellës të energjisë elektrike dhe të telefonisë fikse në zona të ndryshme të qytetit, për riparimin e të cilave po punohet. Si pasojë e reshjeve të dëborës, dëmtimin më të madh e ka pësuar rrjeti i tensionit të lartë 35000 kv që furnizon me energji elektrike rrethin e Malësisë së Madhe, i cili që nga ora 18 e së mërkurës ndodhet pa energji elektrike, ndërsa probleme në rrjetin e tensionit të ulët e të mesëm ka dhe në Velipojë e Gur të Zi. Rrëzimi i kabllove të tensionit të lartë 110 kilovolt në fshatin Rrenc ka shkaktuar dëme të konsiderueshme për banorët e kësaj zone. Sipas tyre, nga reshjet e shumta të borës kabllot e tensionit të lartë janë këputur dhe kanë rënë mbi njëra-tjetrën duke shkaktuar masë elektrike dhe kjo ka sjellë djegien e shumë pajisjeve elektrike nëpër banesat e tyre. Gjergj Lazri, banor në Rrenc, shprehet se rrëzimi i kabllove të linjës së tensionit të lartë 110 kilovolt nuk është diçka e re, pasi sa herë që bie dëborë, ato këputen duke rrezikuar seriozisht jetën e banorëve, si edhe duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme.
***
Akset rrugore që lidhin Shkodrën me fshatra si Murriqani, Velipoja, Rrenci etj, kanë qenë të bllokuar deri në orët e paradites së të enjtes. Të izoluar nga dëbora janë komunat e zonës së Dukagjinit në Shkodër, komunat Shkrel e Këlmend në Malësinë e Madhe dhe Rrape e Iballë në Pukë. Sipas nënprefektit të Pukës, ka probleme me pastrimin e rrugëve në bashkinë e Pukës ku nuk ka fonde. Në aksin nacional Fushë-Arrëz - Kukës në Qafë të Malit, dëbora ka arritur mbi një metër. Aty punohet pandërprerë për ta bërë të kalueshëm aksin për mjetet e vogla dhe është bërë evakuimi i disa personave që kishin mbetur të izoluar në Qafë-Mali nga ortekët që kanë rënë dhe kanë bllokuar rrugën. Evakuimi i tyre është bërë me helikopterë. Në tre akset rrugore kryesore të Pukës janë angazhuar pesë mjete borëpastruese. Gjithashtu janë angazhuar forca dhe mjete të komisariatit të policisë së Pukës. Dje kanë ndërhyrë edhe dy mjete borëpastruese të ushtrisë të dislokuara për këtë qëllim. Në rrugët nacionale, në orët e vona të pasdites të së mërkurës, në rrugën Fierzë - Qafë-Mali dhe në segmentin e Qafës së Malit për gati 5 orë rruga ka qenë e bllokuar deri në ndërhyrjen nga borëpastrueset. Mësimi nuk është zhvilluar në Malësinë e Madhe, në komunat e Pukës dhe në disa fshatra të Shkodrës ku nuk ka qenë i mundur transporti i mësuesve nga Shkodra për shkak të bllokimit të rrugëve. Sipas prefektit të qarkut të Shkodrës, Maxhid Cungu, situata është nën kontroll, por drejtues të njësive të qeverisjes vendore dhe të policisë shprehen për situatë jonormale në drejtim të zhbllokimit të rrugëve dhe kalimit në to.