Denoncohet avokati për mashtrim me pronat
Ish- kreu i AKKAP-së, Vatnikaj, denoncon për mashtrim me 50 mijë euro avokatin Gencin Çeli, që do iu zgjidhte problemet disa ish- pronarëve
Policia nis hetimet, ndërsa i denoncuari ka reaguar se do të kallëzonte për shpifje autorët
TIRANE- Një avokat shqiptar me banim në Itali, është denoncuar në policinë e kryeqytetit, për mashtrim dhe marrjen e 50 mijë eurove, disa personave me banim në Fier dhe Vlorë, me argumentin se do të punonte që Agjencia e Kthimit të Pronave (AKKP), t'iu njihte dhe kthente pronat.
Denoncimi është dhënë nga ish¬- kryetari i AKKP-së, Tunxh Vatnika, dy ditë më parë në sektorin e Antikrimit Ekonomik të Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Ky i fundit, tashmë është nën hetim për një tjetër çështje që ka të bëjë me tjetërsimin e një sipërfaqeje prone shtetërore, në Komunën Synej të Kavajës. Lajmi është bërë i ditur nga zyrtare të këtij institucioni të cilët kanë pohuar se ish- kreu i AKKP-së, Tunxh Vatnikaj, ka denoncuar avokatin 42 -vjeçar me banim në Romë.
Sipas kallëzuesit, shqiptari me banim në Itali, është denoncuar se iu ka marrë një grupi personash shumën e majme të parave, me qëllim që të punonte për kthimin dhe kompensimin e pronave të tyre.
Ndërsa kishte kaluar një kohë e gjatë, dhe sipas pretendimit të Vatnikës në polici prona nuk ishte kthyer, pretenduesit e pronës kanë kontaktuar me ish- kreun e Agjencisë së Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave. Pas regjistrimit të kallëzimit të Vatnikës, blutë kanë nisur referimin në prokurorinë e Tiranës, për të nisur ndjekjen penale ndaj avokatit Çeli me banim në kryeqytetin italian Romë.
Hetimi
Denoncimi i ardhur nga ish- kreu i AKKP-së, bën fjalë për një mashtrim prej 50 mijë eurosh, që pretendohet se ai ia ka marrë një grupi personash pretendues të një sipërfaqeje pronash për kthim dhe kompensim.
Edhe pse policia e Tiranës kishte nxjerrë një njoftim zyrtar në lidhje me këtë çështje, hetuesit, kanë pretenduar se nuk ishin në dijeni të një denoncimi të tillë.
Burime të policisë pohuan se pas regjistrimit të kallëzimit të Vatnikajt tashmë nën hetim për një abuzim me pronat në Kavajë, kanë kërkuar të kontaktojnë me të denoncuarin ose së paku të gjejnë një adresë të tij. Nga verifikimi i kryer prej hetuesve, është mësuar se ai nuk ndodhej në Shqipëri, por se kishte udhëtuar jashtë vendit.
Kjo është zbuluar prej tyre nëpërmjet sistemit TIMS, që ka konfirmuar largimin e tij në drejtim të shtetit italian. Në këto kushte, policia ka kërkuar një rrugë tjetër për kontaktimin me të. Ndërkaq hetuesit kanë pohuar se aktualisht ai nuk ishte gjetur dhe se po punonin për gjetjen dhe kapjen e tij.
Ndërkohë hetuesit e policisë së kryeqytetit kanë përcjellë në ngarkim të tij, në prokurorinë e Tiranës, dosjen me kallëzimet përkatëse. Policia nuk bëri të ditur nëse kishte marrë apo jo deklarime të palëve që pretendohet të jenë dëmtuar ndërsa një fakt i tillë pritet të sqarohet në vijim të hetimit.