Prangoset shpërndarësi i drogës në Shkollë
Antidroga e policisë së Tiranës çon në qeli një 25-vjeçar pasi dyshohet se shpërndante drogë në gjimnaze. Olger Matka, 25-vjeç, është kapur dy ditë më parë pranë shkollës së mesme "Andon Z. Çajupi" në Tiranë me një sasi droge.
Burime nga policia thanë se pas informacione të siguruara në rrugë operative i riu shpërndante drogë, policia bëri të mundur kapjen e tij pranë shkollës ku pas një kontrolli fizik atij ju gjet me një qese farmacie transparente, ku brenda saj kishte 4.2 gramë, lëndë narkotike e dyshuar si heroinë.
Ndërkohë, gjatë kontrollit që u ushtrua në banesën e tij policia gjeti dhe sekuestroi 3.1 gram, lëndë narkotike e dyshuar canabis sativa. Në cilësinë e provës materiale, 25-vjeçarit Matka iu sekuestruan 4.2 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit heroinë, 3.1 gram lëndë e dyshuar narkotike e llojit canabis sativa dhe një aparat telefoni celular. Burime nga policia thanë se i riu dyshohet se furnizonte gjimnazistët me drogë, megjithatë një fakt i tillë është ende në verifikim.
Grabitja e pikës së këmbimit, në polici 25 vetë
Policia e Tiranës ende nuk ka rënë në gjurmët e dy personave që në tentativë për të grabitur një dyqan të këmbimit valutor, plagosën me pistoletë bashkëshorten e pronarit të saj. Rreth 25 persona, mësohet se është numri i të dyshuarve të shoqëruar, ndërsa asnjëri prej tyre nuk ka marrë përsipër ngjarjen ndërsa policia posedon prova kundër tyre duke i lënë ata sërish të lirë. Burime nga policia thanë se fill pas ngjarjes janë shoqëruar rreth 25 persona si dëshmitarë e autorë të dyshuar të ngjarjes por pasi janë marrë në pyetje janë lënë të lirë. Të njëjtat burime shtuan se ende nuk është bërë i mundur identifikimi i poseduesit të motorit që u përdor nga dy grabitësit për t'u larguar nga vendngjarja pasi motori nuk kishte targa. Ndërsa policia, veç gëzhojave të sekuestruara në dyqanin ku ndodhi tentativa e grabitjes, nuk ka mundur të administrojë prova të tjera, por në bazë të dëshmisë së punonjëses Rudina Shameti e cila mbeti e plagosur si dhe të dëshmitarëve të tjerë ka mundur të kryejë identifikimin e dy autorëve. Sipas policisë, ata janë të moshës 20-22 vjeç, mbanin në kokë kapuçë të zinj si dhe kishin veshur xhinse dhe xhupa të zinj. Tentativa e grabitjes ndodhi në hyrje të rrugës së "Kavajës" në qendër të Tiranës kur dy persona kanë hyrë në dyqanin "Exchange" dhe kanë tentuar t'i marrin çantën punonjëses Rudina Shameti e cila sapo kishte hapur dyqanin. Rezistenca e 34-vjeçares Shameti për tu dhënë çantën autorëve ka detyruar njërin prej tyre të zbrazë pistoletën në drejtim të saj duke e plagosur në këmbë me dy plumba