E Diel, 1 Nëntor 2026

Peshkimi, 1 litër naftë do të kushtojë 70 lekë

DURRES – Peshkatarët e mbyllin grevën 1-vjeçare pas konfirmimit nga Ministria e Financave se, është pranuar njëra prej tre skemave të ofruara nga peshkatarët. 

Bëhet fjalë për atë që garanton blerjen e karburantit me çmimin e bursës ndërkombëtare. Sasia e destinuar për sektorin e peshkimit do të jetë e zhveshur nga akciza, por gjithsesi, ajo nuk do t’i shmanget TVSH-së. Për çdo litër naftë, e cila mendohet të kushtojë 70 lekë, TVSH-ja do të jetë 11 lekë, shifër kjo që ndikon fare pak në çmim. Kryegrevisti Klodian Kapiti pohoi dje, se me t’u marrë shkresa nga ministria e Bodes, peshkatarët kanë ndalur protestën. “Tashmë këtë skemë duhet ta miratojë Parlamenti. Ministria na ka premtuar se diskutimi për peshkimin do të futet shumë shpejt në rendin e ditës. Përgjigjja pozitive e ministrisë më së fundi ka qetësuar gjakrat e peshkatarëve. Tashmë të gjithë ndihemi më të qetë dhe kam besim se në ditët e para të verës tregu do të mbushet me peshk vendas”, u shpreh Kapiti. Skema e propozuar nga peshkatarët dhe e pranuar së fundmi nga Ridvan Bode është një “fotokopje” e asaj që vendet e tjera të Mesdheut si Italia, Kroacia, apo Greqia aplikojnë prej kohësh. Ajo parashikon marrjen e naftës në magazinat doganore. Por në këtë lojë do të futet edhe “Armo”. “Peshkatarët do të furnizohen nga disa importues të licencuar dhe do ta blejnë naftën aty ku çmimi do të jetë më i favorshëm”, tha Kapiti. E tërë flota shqiptare e peshkimit e përbërë nga afro 350 anije kërkon një sasi vjetore prej 10 milionë litrash karburant.                o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›