E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komuna Bushat, padi në gjykatë për 400 ha tokë

Një sipërfaqe toke prej 400 hektarësh është bërë mollë sherri mes dy komunave në Shkodër dhe vetë banorëve të tyre. 

SHKODER/ RITVAN DIBRA

 Komuna e Bushatit ka hedhur në gjyq pronarët e komunës fqinje të Bërdicës, pasi nuk kanë lejuar të lënë tokat e lira pas vendimit të pronësisë të caktuar nga qeveria.
Prej janarit të këtij viti, pas përcaktimit të hartave të pronësisë nga ana e pushtetit vendor në të gjithë vendin, Këshilli i Ministrave zyrtarizoi se 1000 ha i përkasin Komunës Bushat. Sipas drejtuesve të komunës, prej kësaj sipërfaqeje, (pyje, kullota, toka në përdorim e zallishte), 400 ha ndodhen në pjesën e shfrytëzuar deri tani nga banorët e Bërdicës. Menjëherë pas zyrtarizmit të vendimit më 15 shkurt, drejtuesit e komunës nisën punën për të marrë në pronësi sipërfaqen e dhënë. Por, përplasja e parë ka ardhur mes banorëve të Komunës së Bushatit dhe asaj të Bërdicës. Kur rreth 200 familje kanë shkuar në pronën e caktuar me ligj, banorët e Bërdicës, të cilët e shfrytëzojnë prej 18 vitesh nuk kanë pranuar ta lëshojnë. Sipas tyre, toka ka qenë e ish-NB-së së komunës së Bërdicës, prandaj kanë investuar në të, ndonëse nuk e kanë marrë në pronësi me dokumente. Sherret për pronësinë e tokave mes banorëve të dy komunave në fjalë kanë pasuar me hapjen e procesit gjyqësor në Gjykatën e Shkallës së Parë të Shkodrës prej vetë komunës Bushat. Kryekomunari Zef Hila deklaroi dje se, 100 familje të kësaj komune kanë përfituar pronësinë e tokës me vendim të formës së prerë nga gjykata dhe se 100 të tjera janë në proces e sipër. Mbështetur në vendimin e marrë nga qeveria, por edhe nga vendimi i marrë nga gjykata, Hila dje ka njoftuar banorët e Komunës së Bërdicës që të lirojnë tokat e zëna prej tyre në kundërshtim me ligjin. Ai kërcënon se në rast kundërshtimi, do të ndërhyjë policia e Komunës së Bushatit. Rreth 400 hektarë tokë bujqësore të ish-fermës së Bushatit, që ndodhen në afërsi të urës së Dedë Gjo Lulit (rrugës për në Velipojë), tashmë u takojnë banorëve të kësaj komune. “Dje kam njoftuar të gjithë banorët e Bërdicës që kanë zënë tokat që u takojnë banorëve të komunës tonë, që t’i lëshojnë sa më parë. Në këtë sipërfaqe të zënë nuk ka asnjë shtëpi të ndërtuar, objekt apo njësi tregtare që të shkaktonte probleme sociale, ndaj ajo duhet t’i kthehet Bushatit”, thotë kryekomunari Zef Hila.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›