Verifikimi i dëmeve të përmbytjes nis nga Oboti
Procesi
Pasi pyesin kryefamiljarët, ekspertët regjistrojnë vetëm dëmet e dukshme
Nis verifikimi i dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet në zonat e Nënshkodrës dhe lagjet periferike të qytetit të Shkodrës.
Fshati i parë i prekur nga përmbytja ka qenë zona e Obotit. Në këtë fshat, ekspertët kanë nisur fillimisht verifikimin në banesat më pranë lumit Buna, të cilat janë dëmtuar më shumë nga përmbytja. Banesa e Salvador Franaj, që ndodhet vetëm pak metra larg lumit Buna, ka qenë dhe familja e parë ku ekspertët kanë nisur punën për verifikimin e dëmeve. Në shtëpinë e Franajve, ekspertët kanë verifikuar të gjitha dëmet, duke nisur nga të mbjellat e deri tek orenditë shtëpiake. Procedura e parë ka qenë marrja në pyetje e kryefamiljarit për dëmet që ka pësuar dhe më pas është bërë verifikimi për gjithçka që është deklaruar e dëmtuar. Duke folur për gazetën, kryefamiljari Salvador Franaj ka shpjeguar dhe mënyrën se si ekspertët verifikonin dëmet. “Në fillim u prezantuan dhe më thanë se kishin ardhur për të parë se çfarë dëmesh kisha pësuar nga përmbytjet. U tregova se toka e mbjellë, serat dhe pajisjet në shtëpi janë shkatërruar nga uji. Pasi u thashë çfarë dëmesh kam pësuar, kërkuan të shohin dëmet. Në fillim u futën në serë dhe shënuan gjithçka në formularë dhe kështu me radhë. çfarë u thosha se më ishte dëmtuar, e verifikonin dhe shënonin pa hezitim. I vetmi problem ishte në rastin kur nuk ndodheshin dëmet, për shembull, në serë kisha mbjellë disa rrënjë presh, që i ka marrë uji. Brenda serës nuk ka mbetur më asnjë rrënjë dhe kjo krijon problem, sepse nuk mund ta verifikojnë. Personalisht jam i kënaqur me mënyrën si po verifikojnë, por shpresojmë në fund të marrim lekët”, ka thënë Franaj.
#