E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie buxheti i Bashkisë së Elbasanit

Bashkia e Elbasanit nuk e miraton dot buxhetin. Mbledhja e djeshme e këshillit bashkiak e ka rrëzuar projektbuxhetin për këtë vit. Këshilltarët e djathtë, duke krijuar mazhorancën me ata të LSI-së, i kanë detyruar të majtët që të tërheqin sërish për diskutim projektbuxhetin, pas debateve të ashpra në fillimin e kësaj mbledhjeje të radhës. Që në fillim u duk se planifikimi buxhetor i kësaj bashkie për këtë vit nuk do të merrte miratimin në votë, pasi është kundërshtuar ende pa u paraqitur për diskutim. Kreu i bashkisë, Qazim Sejdini, nuk i fshehu notat e nervozizmit në replika me këshilltarët, edhe pse ishte i përgatitur për mundësinë e mosmiratimit. Sido që jo pak këshilltarë të dy kampeve politike apeluan për mospolitizim të kësaj pike të rëndësishme në rendin e ditës, dozat e interpretimit politik në një farë mënyre kanë përshkuar diskutimet e këshilltarëve në justifikimet për mosdhënien e votës për këtë buxhet. Kryebashkiaku Sejdini ka sqaruar se rritja e shifrave në buxhetin e këtij viti është bërë mbi baza reale, duke pasur parasysh rritjen ekonomike të të gjitha arterieve të qytetit në zhvillim, si dhe uljen në minimum të evazionit fiskal. Kundërshtimi nga këshilltarët e djathtë, të mbështetur nga ata të LSI-së, është bërë nën arsyetimin e një buxheti fiktiv. “është një buxhet i fryrë në mënyrën më të dukshme fiktive dhe nuk i përgjigjet realitetit të zhvillimit ekonomik të qytetit, sikurse është hartuar mbi bazën e strategjisë elektorale për zgjedhjet vendore të vitit që vjen”, tha deputeti i PD-së dhe kryetar i degës së kësaj partie për Elbasanit, Luçiano Boçi. Sipas tij, bashkia u ka borxh firmave të ndryshme private rreth 2 miliardë lekë dhe në buxhetin e këtij viti janë përfshirë edhe shumë zëra pune që kanë përfunduar në vitin që u mbyll. Pas mbylljes së mbledhjes pa miratimin e këtij buxheti, është zhvilluar me konsensus mbledhja e kryesisë së këshillit bashkiak, ku mësohet se janë ulur tonet e kundërshtimit nga të djathtët. Mbledhja e radhës për buxhetin e paaprovuar dje, pritet që të zhvillohet pas tri ditësh, në kuadër të reflektimit që do të bëjnë hartuesit e tij ndaj kërkesave të së djathtës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›