Rikthehet debati për portin e peshkimit, Dako: Referendum lokal
Durrës
Reagon Ministria e Mjedisit, Garuli: Nuk ka ndotje, por bëhet lojë politike
Nëse nuk arrihet një marrëveshje mes qeverisë dhe Bashkisë së Durrësit për portin e peshkimit, qytetari nr.1 i Durrësit propozon organizimin e një referendumi ku të jetë qytetaria durrsake që të vendosë përmes votës mbi vendndodhjen e tij. Ngritja e një porti jahtesh në të njëjtin vend dhe jo dhënia e imazheve të ndotura që do të përcillte një port peshkimi me një flotë të degraduar, është ideja që sjell administrata bashkiake për qytetin, i cili e sheh të sotmen dhe të ardhmen e vet me turizmin. Kryebashkiaku i Durrësit ka hedhur poshtë akuzat e anëtarëve të kabinetit qeveritar që e lidhin kundërshtimin e tij për ngritjen e portit të peshkimit aty ku sot është kalata 0 e portit me interesa personale të tij. Madje Dako aludon se ata që planifikuan ndërtimin e portit dhe që mund të kenë interesa të tjera përtej tij. Sipas kryebashkiakut, janë tre arsye kryesore në të cilat bazohet kundërshtimi i vendit ku është përcaktuar të ngrihet ky port: ndotja e mjedisit nga industria e peshkimit, mbingarkesa e trafikut në këtë aks të qytetit dhe dëmtimi i planit urbanistik. “Bashkia e Durrësit ka një projekt që përfshihet brenda studimit të qendrës së qytetit, e miratuar edhe nga KRTRSH-ja, që në perspektivë, në zonën ku kërkohet të ndërtohet porti i peshkimit, të ndërtohet një port turistik jahtesh, që është totalisht në funksion të shëtitores bregdetare, si dhe krijon një imazh tepër pozitiv turistik. Ky është projekti i Bashkisë së Durrësit, ndërkohë që për portin e peshkimit ne do të vazhdojmë të jemi kundër ndërtimit në atë zonë. Pikërisht për të përcaktuar një zonë të përshtatshme për ndërtimin e këtij porti, bashkia ka nisur edhe një diskutim publik për të dalë me një mendim të përbashkët dhe nëse nuk gjejmë gjuhën e përbashkët me ministrinë përkatëse edhe pas këtyre konsultave publike për këtë çështje, atëherë do të hedhim idenë e realizimit të një referendumi, ku të jenë vetë qytetarët e Durrësit që do të vendosin për vendin se ku duhet ndërtuar ai port peshkimi”, tha Dako. Kësaj deklarate të kryebashkiakut të Durrësit iu përgjigj dje Ministria e Mjedisit, me anë të zëvendësministrit Aleksandër Garuli. Gjatë një prononcimi për mediat, Garuli tha se “ndërtimi i portit të peshkimit nuk sjell pasoja në mjedis” dhe se “ndërtimi i këtij porti është një ndihmë për projektin e bashkisë për portin e jahteve”. Sipas zv/ministrit të Mjedisit, kryebashkiaku i Durrësit po e përdor politikisht këtë çështje.
#