E Shtunë, 31 Tetor 2026

T’i tregojmë forcën Evropës

Një vit më parë, në 28 prill 2009, pak muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, kryeministri Berisha gjithë pompozitet
zbriti në Pragë. Dorëzoi atje kërkesën e Shqipërisë për të qenë anëtare e Bashkimit Evropian, e për t’u pranuar me statusin e vendit kandidat. Një vit më pas, kryeministri Berisha premton që nga data 15 prill, do t’i dorëzojë Komisionit Evropian përgjigjet e pyetjeve që Brukseli i ka bërë Shqipërisë. Po këtë muaj pritet që Komisioni (ose ndoshta në vazhdim), të japë një përgjigje për Shqipërinë. Nëse rekomandimet e këtij institucioni do të jenë pozitive për vendin (në fakt, ka pak gjasa të ndodhë për shkak të krizës politike në Shqipëri), atëherë këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian do të jetë vendimtari. E nëse përgjigja do jetë pozitive, Shqipërisë do t’i jepet statusi i vendit kandidat. E nëse jo, atëherë rekomandimet do të vijnë me detaje të tjera, aspak teknike, por më së shumti politike, ku nuk do të harrohen si zakonisht reforma në drejtësi, lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit, reforma legjislative e kthimi i normalitetit në jetën politike në Shqipëri. Paralel me këto zhvillime me BE, jo në procese të bashkuara, por aspak të ndara, vjen edhe çështja e liberalizimit të vizave, proces i premtuar nga qeveria shqiptare që nga viti 2005, kohë në të cilën Berisha u ngjit në pushtet.
Në dhjetor 2009, Bashkimi Evropian filloi procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Kriza politike në Shqipëri dhe bojkoti i parlamentit nga opozita, ishin dy faktorët që bllokuan këtë proces. Pak kohë më parë, gjatë muajit mars Berisha deklaron se nuk do të dëshironte që në procesin e liberalizimit të vizave Shqipëria të vlerësohej njëlloj me Bosnjën. Vendet duhet të trajtoheshin veç e veç. Por vetëm pak ditë pas kësaj deklarate, ministri i Jashtëm spanjoll, që mban kryesinë e radhës së BE-së, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti zbriti në Sarajevë, ku deklaroi se Bosnja do të marrë shumë shpejt liberalizimin e vizave. Për Shqipërinë, pavarësisht kërkesës së Berishës, nuk u tha asnjë fjalë nga Sarajeva. Por, premtimi i qeverisë mbetet ende se këtë vit ky proces do të finalizohet.
Për faktorët e aktorët që e kanë lënë Shqipërinë jashtë procesit të liberalizimit të vizave kemi folur mjaft gjatë gjithë këtyre muajve, ku padyshim, fajtorët më të mëdhenj janë politikanët që na drejtojnë. Por, le të flasim për kostot e shqiptarëve, penalizimin e këtyre të fundit nga mungesa e këtij procesi, dhe arsyet ‘mediokre’ që shtyjnë zyrtarët burokratë të BE-së për të mos i hapur dritën jeshile Shqipërisë në këtë proces.
Shqipëria është konsideruar gjithmonë një faktor stabiliteti në Ballkan. Nga pikëpamja diplomatike, liderët e këtij vendi kanë ditur të ulin gjakrat në rajonin e trazuar, të bëjnë marrëveshje bilaterale e multi, të ulen në konferenca rajonale me synimin për të qenë qetësues “gjakrash” e pse jo, edhe në kurriz të popullit të tyre, të falin veprime ekstremiste të fqinjëve që kërkojnë destabilitet, siç mund të konsiderohet rasti i fundit me Greqinë pas thirrjeve nacionaliste të disa ushtarëve grekë kundër Shqipërisë, apo të pranojnë edhe pretendimet serbe për trafikim organesh nga Shqipëria, duke kërkuar hetim ndërkombëtar për to. Duke qenë një vend që eksporton stabilitet, por që brenda vetes ka instabilitet politik, por jo konflikt me dhunë, si është e mundur që mes Shqipërisë dhe Bosnjës të vihet qoftë edhe shenja e barazimit, madje jo, Bosnja, në sytë e evropianëve të duket më mirë se Shqipëria...
Le të shohim pak Bosnjën. Që nga viti 1995, kur me Dejtonin përfundoi dhe lufta për Bosnje-Hercegovinën, kanë kaluar 15 vjet. Ky shtet vazhdon të ketë një përfaqësues special të Bashkimit Evropian për ta kontrolluar, madje dhe për të emëruar edhe zyrtarë në poste më të larta. E ndarë në dy etni përfaqësuese edhe në Kuvend, presidencë (me rrotacion) e qeveri, Republika Srpska dhe Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës, vendi ka akoma instabilitet. Shfaqet mirë në marrëdhëniet me fqinjët (Kroaci, Serbi e Mal i Zi), por me shumë probleme të brendshme. Tri etnitë në Bosnje nuk po punojnë së bashku për reformat, dhe kanë alarmuar zyrtarët ndërkombëtarë. Kur Moratinos si ministri i Jashtëm i Spanjës, shkoi në Sarajevë, atje gjeti edhe nënsekretarin amerikan të Shtetit, Jim Steinberg, për të njëjtat motive si i pari. Por boshnjakët tani do të kenë dhuratë vizat, e më vonë në tetor, kur të mbarojnë dhe zgjedhjet e përgjithshme, për të parë edhe votat që do të marrë secili nga entitetet, atëherë do të punojnë për reformat.
Parë në këtë këndvështrim, Shqipëria duhet të luftojë dhe lobojë fort për qytetarët e vet. Në 9 qershor, në Bosnje do të mbahet një konferencë e vendeve të Ballkanit perëndimor, pas dështimit të Konferencës së Berdos pak javë më parë, ku bojkotoi presidenti serb Boris Tadiç, për shkak të pjesëmarrjes atje të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. Brukseli dhe organizatorët mbetën keq, dhe Serbia duket se fitoi terren. Por në këtë konferencë, sipas Moratinos, ministrit të Jashtëm spanjoll, Bosnjës do t’i bëhet dhuratë pikërisht “liberalizimi i vizave” dhe ky vend duhet të shkojë i qetë drejt zgjedhjeve të përgjithshme. Por, cili duhet të jetë qëndrimi i Shqipërisë nëse ky veprim ndodh? Nëse të gjitha kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave janë përmbushur nga Shqipëria, atëherë kjo e fundit duhet të kërkojë me forcë gjatë kësaj konference arsyet se pse Brukseli do ta përjashtojë nga ky proces. Nëse do të përmendet konflikti politik brenda vendit, kemi gojë të flasim se po kaq konflikte ka dhe në Bosnje, edhe në Maqedoni që përfitoi nga ky proces në 2009-ën, edhe në Serbi, gjithashtu. Asesi nuk mund të pranohet nga diplomacia shqiptare ky argument. Dhe nëse ndodh, që të ketë një tjetër kusht të Serbisë për kryeministrin e Kosovës, po aq Shqipëria nuk duhet ta pranojë. Kosova, tashmë ka karrigen e vet jo vetëm në tryezën ballkanike. është ora që Shqipëria t’i tregojë forcën, karakterin e dinjitetin e vet edhe Evropës. Nuk mund të ketë dy standarde: një për shqiptarët, dhe një për popujt e tjerë të Ballkanit. Shqipëria kësaj radhe duhet realisht të tregojë forcën e diplomacisë së vet, e pikërisht në qendër të Sarajevës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›