E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trukimet, Duka: Xhani si bariu që thërret ‘Ujku!’

Aventura e skuadrave shqiptare në Evropë u shoqërua edhe këtë verë me akuza për shitje ndeshjesh dhe me përjashtime lojtarësh. 

Jetmir Halilaj

Një situatë si kjo padyshim nuk i pëlqen presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, i cili gjithsesi nuk pranon të hidhet baltë në çdo ndeshje. “Duket sikur na pëlqen që këto gjëra t’i fryjmë maksimalisht edhe vetë ne, por nuk duhet të pranojmë që të imunizohemi nga ideja e shit-blerjeve, sepse jo gjithçka është kaq e errët sa përshkruhet”, shprehet Duka. Në një intervistë për “Panorama” presidenti i Federatës komenton ecurinë e skuadrave shqiptare në Evropë, ku nuk harron të shigjetojë edhe presidentin e Partizanit, Albert Xhani, i cili pak ditë më parë akuzoi lojtarët e tij se e kishin shitur ndeshjen kundër Shiroki Brijeg.
Cili është komenti juaj për ecurinë e skuadrave shqiptare në arenën evropiane?
Bardh e zi. Në planin personal jam paksa i zhgënjyer, sepse kur pashë shortin mendova se të gjitha ekipet që përfaqësonin Shqipërinë në arenën ndërkombëtare kishin mundësi të shkonin larg, madje mund të bënin edhe hapin e madh, pra ndonjëra prej tyre edhe të kualifikohej. Jam i bindur se kundërshtaret e tyre nuk ishin më superiorë, madje i kishin mundësitë që të bënin paraqitje më dinjitoze. Nuk mund ta fsheh se prisja më tepër nga Dinamo, sepse kishte një ekip të mirë dhe nuk kishte asgjë më pak se Modrica. Besa gjithashtu pati një start të mirë, por në turin e dytë bëri një paraqitje të shëmtuar, ndaj një kundërshtari me nivel, por jo të pakalueshëm. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Partizanin, që u skualifikua nga një kundërshtar me të cilin nuk kishte shumë diferenca. 
Presidenti i Partizanit akuzoi lojtarët e tij se i shitën ndeshjen...
Federata Shqiptare e Futbollit, ndryshe nga vitet e kaluara ka nisur një hetim, jo vetëm për Partizanin, por edhe për Dinamon, e cila gjithashtu u përfol se ka trukuar ndeshjen. Madje për këtë po heton edhe UEFA. Megjithatë, për sa i përket rastit të Partizanit, ndonjëherë më duket se presidenti i kësaj skuadre del dhe kërkon ndihmë kur sillet në atë mënyrë, sepse kjo nuk është hera e parë që deklaron se lojtarët i shitën ndeshjen dhe pastaj nuk ndodh më asgjë. Më duket si ajo fabula e bariut me delet që dilte dhe thërriste “Ujku! Ujku!” dhe kur ujku shkoi vërtet askush nuk e ndihmoi. Nëse ai ka diçka për të bërë dhe për të treguar është i lirë të veprojë si ta shohë të arsyeshme, sepse të gjithëve na intereson futbolli i pastër.
President, por kjo nuk është hera e parë që skuadrat shqiptare përfliten për trukime dhe afera të pista?
Nuk mund të them se gjërat funksionojnë shkëlqyeshëm në futbollin tonë, madje nuk e përjashtoj mundësinë që afera edhe mund të ketë pasur. Megjithatë, deri sa nuk ka përfundime konkrete dhe të vërtetohet se cili është fajtor dhe cili jo, nuk mund të hidhet baltë mbi këdo dhe mbi çdo gjë. Kam vënë re se këtu na pëlqen t’i fryjmë dhe ti ekzagjerojmë të vërtetat apo thashethemet për shit-blerje ndeshjesh dhe në këtë mënyrë nxijmë gjithçka dhe hedhim poshtë punën e shumë njerëzve. Ndoshta jo gjithçka është për faj të tifozëve apo të medias, sepse kështu ndodh edhe në politikë. Kur dikush humbet zgjedhjet apo humbet postin e ka më të thjeshtë të thotë se e vodhën apo se i blenë votat në vend që të pranojë humbjen. Kjo sindromë ka prekur edhe futbollin shqiptar, ku shumë gjëra ekzagjerohen. Unë shpresoj që sportdashësit shqiptar të mos imunizohen me idenë se gjithçka është e zezë dhe se gjithçka është e trukuar, sepse në të vërtetë nuk është kështu.
A mendoni se nëse një ekip shqiptar do të kishte arritur të kualifikohej në Ligën e Kampioneve ose në UEFA, klima do të ishte më e butë dhe besimi do të ishte më i madh rreth skuadrave shqiptare?
Besoj se po. Sinqerisht më vjen keq që skuadrat shqiptare ende nuk po arrijnë të bëjnë hapin vendimtar në këtë aspekt, pra të kalojnë turet paraeliminatore. Më vjen keq për faktin se kundërshtaret e tyre në shumicën e rasteve nuk kanë qenë të pakalueshme dhe jo të një niveli më të mirë se ato. Megjithatë nuk duhet të harrojmë se për të bërë një kalim të tillë, ndikojnë disa faktorë të rëndësishëm si vetëbesimi, tradita në arenën ndërkombëtare dhe organizimi i skuadrave sidomos për ndeshje të këtyre niveleve, gjë që shpesh neglizhohet.

Legjionarët

Bogdani
Shtohen ofertat nga Anglia për Erjon Bogdanin. Pas golit që i shënoi QPR-së, skuadrës së Flavio Briatores dy ditë më parë, drejtuesit e këtij klubi po përgatiten t’i bëjnë një ofertë zyrtare Kievos për bomberin shqiptar. Ndërkohë që edhe klubi i Ipsuiç Toun interesohet për bomberin shqiptar, madje sipas medias italiane, drejtuesit e tij janë gati t’i bëjnë një ofertë prej 2.5 milionë eurosh Kievos për të marrë shërbimet e bomberit kuqezi.

Curri
Debatik Curri ka qenë protagonist në fitoren 1-3 që skuadra e tij Vorskla Poltava arriti dje në transfertë kundër Tavria Simferopol. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare ka shënuar gol në minutën e 31-të duke kaluar në avantazh ekipin e tij, pasi ndeshja deri në atë moment ishte në barazim 1-1. Asistin e golit e ka dhënë mbrojtësi tjetër i përfaqësueses shqiptare, Armend Dallku, i cili aktivizohet në të njëjtin ekip.

Salihi
Hamdi Salihi ka luajtur si titullar në ndeshjen e djeshme kundër SV Pashingut, ku Riedi i tij nuk arriti të merrte më tepër se sa një barazim pa gola. Sulmuesi shqiptar ka bërë një paraqitje të mirë dhe ka pasur raste të mirë për të shënuar, pro nuk ka mundur ta dërgojë topin në rrjetë. Në minutën e 82-të ai është penguar brenda zonës, por gjyqtari nuk ka pranuar të akordojë 11-metërsh në favor të skuadrës së Riedit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›