E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, mbyten brenda ditës dy fëmijë dhe një grua

Dy fëmijë dhe një grua 40-vjeçe janë mbytur dje në ujërat e Qarkut të Fierit. 

FIER/ MAJLINDA RAMA

Sipas policisë, mbytjet e dy të miturve janë ngjarje të ndryshme nga njëra-tjetra. Njëri prej viktimave ka qenë duke u larë me bashkëmoshatarët e tyre në një kanal vaditës në Komunën e Libofshës, ndërsa tjetri është mbytur në një rezervuar në zonën e Mallakastrës. Ndërsa mësohet se gruaja nga Arianitasi i Ballshit është gjetur e mbytur në një përrua, ku kishte shkuar të lante rroba. Ngjarja ku humbi jetën Marin L., 7-vjeç, ndodhi në orët e mëngjesit të djeshëm në fshatin Agim të komunës së Libofshës. I mituri kishte shkuar për të luajtur me shokët e tij pak më të mëdhenj se vetja. Sipas tyre, vogëlushi që nuk dinte të notonte ishte futur në një kanal vaditës ku laheshin edhe fëmijët e tjerë. “I thamë që të mos hynte në ujë, por ai nuk na dëgjoi duke u zotuar se kishte mësuar të notonte dhe madje donte që të na e tregonte si notonte. Por sa hyri në ujë filloi të bërtiste. Ne u hodhëm ta nxirrnim, por ishte e pamundur”, kanë pohuar fëmijët e pranishëm në vendngjarje. Ata kanë kërkuar ndihmë tek disa fermerë që po punonin në një parcelë jo shumë afër kanalit, por kur ata kanë mbërritur 7-vjeçari kishte ndërruar jetë. Ngjarja tjetër e rëndë ku humbi jetën një 10-vjeçar u regjistrua në rezervuarin e Kutës në zonën e Mallakastrës. Sipas dëshmitarëve, Dritan Sh., është futur në ujë për të shpëtuar një bashkëmoshatarin e tij që po rrezikonte mbytjen, por ka pësuar vetë fatin e keq. Ndërhyrja e një bariu të gjendur aty pranë, ka shpëtuar fëmijën tjetër, por pa mundur të bëjë të njëjtën gjë më 10-vjeçarin. Ndërsa viktima e tretë nga mbytjet është shënuar në Arianitas të Ballshit. Afërdita Lena, 40-vjeçe kishte shkuar që në orët e mëngjesit të djeshëm në një përrua, për të larë jorganë dhe batanije, por një fermer i zonës e ka gjetur atë të mbytur në një gropë të improvizuar për shpëlarjen e rrobave. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›