E Diel, 1 Nëntor 2026

Trukimet, UEFA thërret takim urgjent në Zvicër

ZVICER- Skandali i fiksimit të ndeshjeve që ka përfshirë tashmë thuajse gjithë Evropën, ka bërë që UEFA të organizojë një takim në Zvicër posaçërisht për këtë çështje. Trukimi i mbi 200 ndeshjeve vetëm në vitin 2009 përbën ndoshta një nga ngjarjet më të rënda për botën e futbollit, duke përfshirë vende si Gjermania, Zvicra, Turqia, Kroacia, Sllovenia, Hungaria, Austria, Belgjika apo Bosnja. Hetimi i nisur nga Prokuroria e Bokumit ka bërë që deri më tani të arrestohen 17 persona. Por, ky skandal duket vetëm maja e asbergut e mashtrimeve me bastet sportive, teksa në dyshim janë edhe 3 ndeshje të Champions League, 12 të Europa League si edhe kualifikueset e Shpresave. Është kjo arsyeja përse UEFA ka thirrur këtë mbledhje, për t’i njoftuar federatat në lidhje me hapat e mëtejshëm apo edhe për rezultatet e hetimit të Prokurorisë, duke qenë se të përfshirë janë edhe klube tepër të njohur. Nga ky takim pritet të dalin përfundime të rëndësishme, por pritet gjithashtu që UEFA të zbulojë edhe emrat e ndeshjeve që janë trukuar. Të gjithë në Evropë janë duke u dridhur nga ky skandal, sidomos klubet që u është përmendur emri. Në rrezik janë edhe klubet shqiptare, por për këtë do të pritet lista e ndeshjeve që do të zbardhet këto ditë nga UEFA. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›