E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kamionët e helmit “ndajnë” Shqipërinë me Kosovën

Autori i Lajmit: red.
Kalimi i kufirit Shqipëri-Kosovë dhe anasjelltas është bllokuar që prej drekës për kalimtarët dhe automjetet. Sipas policisë shqiptare të kufirit, ky bllokim u bë, pasi në Vërmicë të Kosovës në doganën e Morinit, nga ana tjetër e kufirit, pati rrjedhje lubrifikanti nga një autobot, i cili shkaktoi probleme tek punonjësit e shërbimit doganor dhe policor.
Diktuar nga kjo situatë, autoritetet kufitare të Kosovës dhe Shqipërisë bllokuan kalimet e kufirit, derisa situata të normalizohet. Sipas dëshmitarëve, rrjedhja e vajit ka shkaktuar djegie dhe dhimbje koke tek kalimtarët. Madje, sipas njoftimeve, disa punonjës të doganës së Kosovës janë dërguar për në Prishtinë dhe Prizren për ndihmë mjekësore.
Bllokimi i kufirit
Drejtori i Policisë së qarkut të Kukësit, Muharrem Furriku, thotë se të paktën bllokimi i kufirit do të vazhdojë deri në orën 12:00, ngaqë temperaturat e larta janë të rrezikshme për kalimtarët në prani dhe të lubrifikantit të derdhur. Sipas Furrikut, policia e Kukësit ka marrë të gjitha masat dhe kalimi i kufirit është bllokuar që në dalje të Kukësit në mënyrë që të mos krijohet radhë e kotë në kufi. Sipas tij, nuk ka ndonjë rrezik për jetën e kufitarëve shqiptarë, sepse ata janë pajisur dhe me maska mbrojtëse. Ngarkesa me lubrifikantët nuk ishte për destinacion Shqipërinë dhe as nuk kishtë kaluar në Shqipëri. Policia e Kosovës ka bllokuar kalimet tek lokali “Kristal” disa kilometra në thellësi të kufirit të Kosovës. Në vendngjarje janë policia e UNMIK-ut, KFOR-i dhe Shërbimi Policor i Kosovës. Nga njoftimet e shërbimit policor të Kosovës thonë se tre autobotët, që ishin deklaruar me vaj lubrifikant, në fakt, kishin sasi të madhe gazi SO2. Sipas dëshmitarëve, ka pasur dhe një rrjedhje të lubrifikantit dhe më pas në kontakt me temperaturën e lartë ka bërë reaksion kimik, duke shkaktuar djegie tek punëtorët dhe kalimtarët, madje disa prej tyre punonjës doganorë dhe të shërbimit policor të Kosovës kanë shkuar në Prishtinë dhe Prizren për kurim.
Sipas të dhënave të policisë së Kosovës, por dhe të Kukësit, 3 botet kanë hyrë në Kosovë nga pikëkalimi kufitar i Hanit të Elezit, që lidh Kosovën me Shqipërinë dhe destinacioni i tyre ka qenë fshati Mamush mes Prizrenit dhe Gjakovës, por që janë devijuar në Qafë-Dule për zhdoganim në doganën e Vërmicës, ku dhe ndodhi rrjedhja. Botet vinin nga Bullgaria dhe shoferët tashmë të ndaluar bashkë me një biznesmen nga Kosova, duket se kanë mashtruar për ngarkesën. Fshati Mamush, me shumicë të etnitetit turk, njihet si qendra e veglave të mekanikës bujqësore dhe pjesëve të këmbimit e vajrave për automjete, ku një pjesë e mirë e pjesëve të këmbimit blihen dhe nga kuksianët. Dogana e Vërmicës dhe Morinit janë pikat kryesore lidhëse mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe në këtë kohë, ku ka nisur dhe sezoni turistik kalimi i kufirit për shtetasit kosovarë bëhet me çdo lloj dokument identifikimi.
Hetimet
Sipas burimeve të tjera, në dokumente, lënda me përmbajtje squfuri që transportohej, figuronte vaj lubrifikant, por pas kontrollit ka rezultuar lëndë me veti helmuese që besohet të ketë sjellë si pasojë helmimin e menjëhershëm të dy efektivave. Menjëherë sapo ka marrë njoftimin, Policia e Kukësit në bashkëpunim me Drejtorinë e Doganës në Kukës dhe të pikave kufitare ka bllokuar të gjitha lëvizjet e automjeteve në drejtim të Kosovës për shkak të ndotjes së zonës dhe rrezikshmërisë për udhëtarët. Nuk bëhet ende e ditur se kur do të hapen pikat kufitare.
Ky lajm është publikuar: 28/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›