Trump përçan republikanët

Donald Trump ka një epërsi të madhe ndaj disa rivalëve të tij republikanë, ngaqë emisioni i tij televiziv e ka bërë atë një njeri të famshëm.
Kjo ka bërë që Donald Trump të paraqitet mjaft mirë në disa anketime të publikut, duke siguruar mbështetje në këtë fazë të hershme të fushatës, krahasuar me disa republikanë të tjerë, që janë ende duke shqyrtuar kandidimin për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.
Trump po ashtu po gëzon mbështetje nga lëvizja Tea Party, që shqetësohet më tepër për çështje si shkurtimi i deficitit buxhetor dhe pakësimi i numrit të punonjësve të qeverisë federale. Donald Trump foli në një takim të lëvizjes Tea Party kohët e fundit në Florida.
“Bota po qesh me ne. Po qesh me udhëheqësit tanë. Ata janë duke na përdorur për interesat e tyre dhe kjo është fatkeqësi. Nëse unë kandidoj dhe i fitoj zgjedhjet, vendi ynë do të respektohet përsëri dhe Kina, OPEC-u dhe të gjitha vendet e botës që po na shfrytëzojnë, do të trajtohen ndryshe”, deklaroi Trump në këtë fjalim.
Trump thotë se ai do të marrë një vendim deri në qershor për të kandiduar për zgjedhjet presidenciale. Disa republikanë e pëlqejnë stilin e gjallë të Donald Trumpit dhe besojnë se ai dallohet mes kandidatëve të tjerë tradicionalë republikanë.
Ja si shprehet një grua, që dëgjoi fjalimin e Donald Trumpit në Florida.
“Ai është i ndershëm dhe thotë atë që ka në mendje; nuk më duket që gënjen, ose se përpiqet të më mashtrojë.”
Trump po ashtu ka ngritur në fjalimet e tij çështjen e legjitimitetit të certifikatës së lindjes së presidentit Obama, sipas së cilës presidenti ka lindur në Hawai në vitin 1961.
“Obama nuk do ose nuk ka mundësi ta tregojë certifikatën e lindjes”, ka deklaruar trump.
Zyrtarë shtetërorë në Hawai kanë dokumentin autentik të lindjes së presidentit Obama dhe dy gazeta lokale e kanë botuar njoftimin e lindjes së tij disa ditë pas lindjes.
Kushtetua amerikane kërkon që president mund të bëhen vetëm shtetasit e ligjshëm amerikanë.
Një numër republikanësh të shquar e kanë kritikuar Donald Trumpin, pwr faktin se po përqendrohet sw tepërmi tek certifikata e lindjes e presidentit.
Pikërisht përqendrimi i Donald Trumpit tek e ashtuquajtura çështje e lindjes, është vetëm një arsye përse disa republikanë të shquar po ngrenë zërin kundër kandidimit të tij.
Ish-senatori i Utah-s, Bob Bennet mbështet ish-guvernatorin e Massachusetsit, Mitt Romney për president, megjithëse ai ende nuk e ka deklaruar kandidimin e tij.
Bennet thotë se interesimi i republikanëve për Donald Trumpin pasqyron një lloj pakënaqësie me kandidatët e mundshëm, të cilët janë duke sinjalizuar interesim për të kandiduar vitin e ardhshëm.
“Nuk ka ndonjë lloj mbështetjeje të njëzëshme që e kemi vënë re më parë dhe nuk ka një kandidat që mendohet se do të jetë kandidati kryesor. Tani republikanët po thonë, le të provojmë një figure të re në politikë”, theksoi Bennet.
Anketimi më i fundit i rrjetit televiziv CBS News dhe gazetës New York Times gjeti se 56 për qind e republikanëve të anketuar nuk janë entuziastë për ndonjë kandidat të mundshëm.
Shumë ekspertë politikë venë në pikëpyetje nëse Donald Trump do të kandidojë. John Fortier punon në Qendrën për Politika dy-paleshe në Washington.
“Ai është një person shumë i njohur dhe madje mjaft popullor. Prandaj ai i drejtohet një elektorati që shpreh interesim tek një fytyrë e re në politikë. Por unë mendoj se ai mund të jetë në qendër të vëmendjes vetëm për një kohë të shkurtër. Ai mund të kandidojë dhe mund të bëhet pjesë e fushatës, por mundësia e tij për të fituar është shumë e vogël”, tha Fortier.
Anketimi i përbashkët i televizionit CBS News dhe gazetës New Yorik Times, tregoi se 72 për qind e amerikanëve kanë thënë se Donald Trump nuk është një kandidat serioz. Anketimi po ashtu tregoi se republikanët janë të ndarë lidhur me kandidimin e tij. 32 për qind e shohin atë me simpati dhe 33 për qind janë të pavendosur, ose nuk e njohin atë mirë, aq sa për të pasur një mendim të caktuar për të.