“Trupat shqiptare, kontribut të shkëlqyer”
Kryeministri Sali Berisha takon Ambasadorin e NATO-s në Kabul, Simon Gass
Kryeministri Sali Berisha u takua me përfaqësuesin civil më të lartë të NATO-s në Shtabin e ISAF, Kabul, ambasadorin Simon Gass. Ambasadori Gass e falënderoi përzemërsisht për kontributin jashtëzakonisht të vlerësuar të Forcave të Armatosura Shqiptare, qeverisë shqiptare dhe Shqipërisë në shërbim të paqes dhe stabilitetit në Afganistan. Shqipëria, tha ambasadori Gass, po i përmbush më së miri detyrimet e saj si aleat i NATO-s, në Afganistan dhe është një partner i vërtetë për ne, në Afganistan e më gjerë.
Ambasadori Gass i shprehu Kryeministrit ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e jetës së Kapiten Feti Vogli, në Kandahar. Ambasadori Gass e informoi Kryeministrin për zhvillimet e fundit në Afganistan, suksesin e forcave të ISAF, por edhe arritjet në fushën e trajnimit të Forcave të Sigurisë Afgane, për të marrë në dorë sigurinë e tyre, mbas mbarimit të periudhës së tranzicionit, por edhe me zhvillimet politike, ndryshimet demokratike dhe përpjekjet për zhvillim ekonomik në vend. Sot, rreth 50 për qind e qytetareve, bëri me dije, ambasadori Gass, jetojnë në zona, ku siguria garantohet nga forcat afgane dhe së shpejti do të arrijë në 70 për qind, deri në objektivin final që pas vitit 2014, NATO do të vijojë të kontribuojë, por tashmë më shumë në aspekte trajnimi e mbështetjeje për Forcat e Sigurisë Afgane.
Kryeministri Berisha e falënderoi për mikpritjen dhe për vlerësimin që ambasadori Gass i bëri Shqipërisë dhe kontributit të Forcave saj të Armatosura. Kryeministri i bëri me dije ambasadorit Gass se qeveria shqiptare ka ofruar 100 bursa për të rinjtë afganë, duke e konsideruar rritjen e nivelit të arsimimit të qytetarëve të këtij vendi mik, që ka vuajtur si askush tjetër në duart e regjimeve autoritare, si një element thelbësor për përparimin e tij e popullit të tij në të ardhmen.
Kryeministri e njohu ambasadorin Gass edhe me zhvillimet në Shqipëri dhe procesin e reformave të gjithanshme që ajo po zbaton. Në takim u diskutuan gjithashtu edhe zhvillimet e fundit dhe situata në rajon. Në përfundim të takimit, ambasadori Gass dhe Kryeministri Berisha bënë këto komente në lidhje me takimin mes tyre:
Ambasadori Gass
“Pata një takim të shkëlqyer me Kryeministrin Berisha. Është një privilegj dhe një ndër që e pres sot, këtu, në komandën ISAF, jo vetëm për punën e shkëlqyer që trupat shqiptare bëjnë këtu, në Afganistan, në mbështetje të popullit afgan, por edhe në mbështetje të misionit të NATO-s. Ata kanë bërë një punë dhe shërbim të shkëlqyer dhe ishte në nderin tim të falënderoja Kryeministrin për kontributin e madh të shqiptarëve. Pata rastin t’i shpreh Kryeministrit Berisha pikëpamjen time mbi zhvillimin politik dhe ekonomik të vendit. Ishte një nder i veçantë, gjithashtu, që e takoj Kryeministrin pas 20 vitesh, mbasi unë kam vizituar Tiranën në vitin ‘92”.
Kryeministri Berisha
“Ishte një takim shumë i përzemërt. Dua të falënderoj përzemërsisht ambasadorin Gass për të gjithë diskutimet që patëm mbi situatën në këtë vend mik, punën e shkëlqyer që Aleanca e Atlantikut të Veriut bën këtu dhe jo vetëm në rrafshin ushtarak, rrafshin e sigurisë që është edhe kryesor, por në të gjitha drejtimet dhe optimizmi i ambasadorit mbi të ardhmen e këtij vendi është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Lajme shumë pozitive ka për muajt që vinë mbi suksese të rëndësishme në fushën e sigurisë. Dihet që këtu përgatitet një forcë e madhe e sigurisë afgane dhe dora-dorës ata po marrin gjithnjë e më shumë në dorë sigurinë e këtij vendi. Ambasadori foli me superlativa mbi ushtarët tanë këtu dhe punën e madhe që ata bëjnë, çka ishte për mua një gjë shumë e rëndësishme. Sikundër unë e njoha ambasadorin me të gjitha zhvillimet në Shqipëri dhe meqenëse si miq jemi takuar 20 vjet më parë, bëmë një shpalosje të zhvillimeve në Shqipëri që nga viti ‘92 gjer sot. Ishte një takim shumë miqësor. Edhe njëherë dua ta falënderoj me shumë mirënjohje dhe respekt për të gjithë diskutimet që patëm”.