Kërcënon me vrasje, pranga 24-vjeçarit
PERMET - Kërcënon me vrasje banorët e një lagjeje në qytetin e Përmetit e më pas policinë, e cila mbërriti për të neutralizuar 24-vjeçarin Juxhin Hoxha. Ky i fundit është arrestuar menjëherë pas disa tentativave paqësore për t'u dorëzuar nga ana e forcave policore. Burimet zyrtare nga policia e Përmetit, kanë bërë të ditur për gazetën "Panorama" se Hoxha ishte bërë tmerr i lagjes "Varrosh" pasditen e së mërkurës, duke kërcënuar kalimtarë të rastit, banorë të zonës etj. Gjithçka ka përfunduar pa asnjë të lënduar në orën 19:30 të së mërkurës kur në vendngjarje kanë mbërritur forcat e rendit. I riu, në momentin e mbërritjes së policisë, mbante në dorë një thikë të madhe luftarake me mbishkrimin "Kolumbia", e përmasës 26 cm. Mësohet se gjendja e rënduar psikologjike e 24-vjeçarit erdhi pas një debati me një moshatarin e tij. Për ta zgjidhur këtë, vëllai dhe i ati i djalit tjetër u nisën për sqarim, por Hoxha reagoi me thikë në dorë. Situata precipitoi, pasi as banorët e më pas as policia nuk mundi për një kohë të gjatë t'i hiqte nga dora thikën. Grumbullimi i forcave të shumta policore solli dhe neutralizimin e autorit e arrestimin e tij. p.n