Vrasja e ish-mundësit,hetime në Itali
TIRANE - Hetimet për vrasjen e ish-mundësit të skuadrës "Dinamo", Leonard Bilali, përqendrohen në aktivitetin e tij në Itali, para se të kthehej në Shqipëri në korrik të këtij viti. Policia e Tiranës, e cila deklaroi se ka identifikuar autorin e ngjarjes, nuk e ka bërë publik emrin e të dyshuarit për krimin e ndodhur katër ditë më parë tek rruga "Irfan Tomini" në Tiranë. Burime zyrtare të policisë, pohojnë se në Shqipëri, i vetmi konflikt i dokumentuar i 33-vjeçarit Leonard Bilali, ka qenë një përleshje fizike me një shtetas turk në vitin 2005. Megjithatë, policia thotë se nuk ka prova që të tregojnë një lidhje mes vrasjes së ndodhur katër ditë më parë dhe këtij sherri të viktimës me shtetasin turk. Grupi i hetimit ka pohuar dje se pista kryesore që po hetohet është aktiviteti i Leonard Bilalit në Itali, ku ai qëndronte prej disa kohësh. Ish-mundësi i skuadrës së "Dinamos" u ekzekutua me armë zjarri në fillim të kësaj jave pranë një marketi në rrugën "Irfan Tomini" në Tiranë. Autori i vrasjes ende nuk është arrestuar, edhe pse ndaj tij ka një urdhër ndalimi nga policia.