Trusti pensional deponon 10 milionë në NLB

Trusti i Kursimeve Pensionale ka vendosur që 10 milionë euro t’i deponojë në Bankën NLB, e cila ka ofruar kushtet më të mira në tenderin e hapur.
Më herët, edhe 15 milionë euro të kursimeve pensionale ishin deponuar në bankat që veprojnë në Kosovë.
Vendimi është marrë nga Bordi Udhëheqës i Trustit, në mbledhjen e parë për vitin 2010.
Kryetari i Bordit, Besim Beqaj, tha në një konferencë me gazetarë, tha se janë pajtuar që të ndryshojnë disa aspekte në politikat investive. Tani 40 për qind për qind të fondit do të shkojnë në aksione, rreth 30 për qind do të shkojnë në instrumentet të cilat konsiderohen që kanë kthim absolut dhe 30 për qind e mjeteve do të jenë për dispozitat bankare.
“Komfor kësaj strategjie, ne kemi marrë vendim për të bërë disa investime, që janë mjaft thelbësore. Kemi vendosur që të bëjmë një investim 10-milionësh përmes Vanguard; të bëjmë një investim në tregun lokal, që është diku prej 10 milionë euro në Bankën e Lubjanës, që i ka plotësuar të gjitha kriteret sipas tenderit, të cilin e kemi lansuar më herët. Dhe kemi marr vendim që të bëjmë një investim prej 50 milionë eurosh në Fortis, i cili është njëri ndër instrumente shumë të sigurta”, tha ai.
Sikur transmeton KosovaPress, Beqaj e ka vlerësuar 2009-ën si vit të suksesshëm për Trustin, pasi ka pasur një rikthim të mjeteve në vlerë prej 14.1 për qind. Kjo rritje bën që trusti të jetë afër mbylljes së humbjeve të shënuara gjatë vitit që shkoi, për shkak të krizës financiare globale.
Bordi Udhëheqës, po ashtu përshëndeti miratimin e taksës së reduktuar menaxhuese të Trustit nga Kuvendi i Kosovës, e cila ka filluar të aplikohet nga 1 janari 2010. Taksa menaxhuese, të cilën e ndal Trusti nga mjetet nën menaxhim për mbulimin e shpenzimeve operacionale, është reduktuar në 0.80 për qind nga 0.90 për qind sa ka qenë vjet.