IFC premton blerjen e kredive të këqija në Lindje
Investimi
Institucioni financiar i Bankës Botërore, Korporata Financiare Ndërkombëtare, deklaroi dje se do të investojë rreth 100 milionë euro për të ngritur një fond total prej 450 milionë eurosh sëbashku me investitorë privatë, me qëllim që të blejë kreditë e këqija në Europën Lindore. Nga ky fond pritet të përfitojë edhe Shqipëria. Këto fonde pritet të ndihmojnë bankat në heqjen e kredive të këqija nga bilancet e tyre me qëllim që të rrisin aftësinë kredituese për ekonomitë nga këto institucione për bizneset dhe konsumatorët. Linja e kreditit synon të lehtësojë një nga problemet më të mëdha që krijoi kriza e vitit të kaluar. Kreditë e këqija në Shqipëri u rritën në 10.1 për qind të totalit të portofolit në nëntorin e kaluar dhe tendenca është për rritje të mëtejshme. Shumë biznese kanë humbur klientët e tyre të zakonshëm për shkak të krizës ndërsa linja e kredive për individët vuan nga problemet e shkaktuara nga rritja e papunësisë. Kreditimi i ekonomisë shqiptare është ngadalësuar ndjeshëm nga njëra anë nga rënia e kërkesës konsumatore dhe nga ana tjetër nga mungesa e fondeve të lira në banka. Blerja e një pjese të kredive të këqija me fondet e IFC-së mund të krijojë asete të lira. Blerja e borxheve të kompanive në vështirësi me një çmim më të ulët se sa vlera e tyre nominale është një praktikë e njohur në Europë dhe u mundëson borxhdhënësve të pastrojnë bilancin.
#