Greqia u shpëton borxhlinjve, por me kosto të lartë
Kriza
Bursa greke shënoi rritje dje së bashku me vlerën e euros, pasi investitorët panë se qeveria arriti të tërheqë oferta të konsiderueshme për blerjen e borxhit publik, njoftoi “Financial Times”. Euro shënoi rritje kundër dollarit, pasi kërkesa e lartë për bondet pesëvjeçare të Greqisë rritën shpresën se kriza rreth financave të këtij vendi po kapërcehej. Gjithsesi, Athina duket se do të detyrohet të paguajë interesat më të larta prej shumë kohësh si kosto e pashmangshme për joshjen e investitorëve. Kuponi që pritet të paguhet për bondet pesëvjeçare pritet të jetë 6.12 për qind, ose 3.8 për qind më i lartë sesa bondet me të njëjtin afat maturimi që emeton qeveria gjermane. Ky është edhe çmimi që Greqia do të detyrohet të paguajë për telashet financiare ku e futi veten gjatë vitit zgjedhor 2009. Athina mblodhi oferta dje për bonde pesëvjeçare me vlerë të përgjithshme prej 5 miliardë eurosh. Deri në mesditën e djeshme, sipas FT, erdhën oferta me vlerë 11 miliardë euro. Bursa greke u rrit me 4 për qind dje, ndërsa euro u forcua me rreth 0.5 për qind kundrejt dollarit. Greqia ka nevojë për 50 miliardë euro borxhe këtë vit për të mbuluar deficitin e vet. Javën e kaluar arriti të tërheqë borxhe me sukses në tituj gjashtëmujorë, por pagoi çmim shumë të lartë. Ajo mori 2 miliardë euro borxhe 6-mujore me interes 1.67 për qind, ndërkohë që tetorin e kaluar borxhe të tilla patën kushtuar vetëm 0.35 për qind.
#