Tregtia e jashtme, viti 2009 mbyllet me bilanc negativ
Statistikat
Ecuria e eksporteve dhe importeve pësoi rënien e parë vjetore që nga 1997
Viti 2009 u mbyll me rënie 9 për qind në volumin total të importeve dhe 14 për qind në vlerën e eksporteve, duke shënuar performancën më të keqe që nga viti 1997. Lajmi bëhet i ditur nga të dhënat e publikuara dje nga Banka e Shqipërisë. Gjatë dekadës së fundit, tregtia e jashtme e Shqipërisë ka njohur rritje dyshifrore duke u nisur nga një nivel shumë i ulët. Gjatë vitit të kaluar, Shqipëria importoi 3.25 miliardë euro mallra, ndërsa patën qenë 3.57 miliardë euro në vitin 2008. Eksportet gjatë vitit 2009 ranë në 785 milionë euro nga 917 milionë që qenë në vitin 2008. Eksportet ranë neto me 132 milionë euro, rënie që besohet se ka mbyllur disa mijëra vende pune, ndërsa importet pësuan rënie neto prej 321 milionë eurosh, pavarësisht se investimet e larta publike gjatë pjesës së parë të vitit i shtuan përkohësisht importet e materialeve të ndërtimit. Rritje u shënua tek eksportet e prodhimeve bujqësore e blegtorale nga 32.3 milionë euro më 2008 në 35.9 milionë vitin e kaluar, si dhe në eksportet energjetike, të cilat u rritën nga 82 milionë në 91 milionë euro. Rënia më e fortë tek eksportet u shënua te mallrat e përpunuara.
Kriza tek importet
Rënia e importeve gjatë vitit të kaluar ka qenë veçanërisht e theksuar në pjesën e dytë të vitit. Muajt më të këqij qenë tetori me minus 21 për qind dhe nëntori me minus 13 për qind. Importet e ulëta qenë veçanërisht pasojë e rënies së kërkesës së brendshme në ekonominë shqiptare, pasi për këto muaj, çmimet e mallrave në tregun ndërkombëtar nuk njohën ndryshime të konsiderueshme. Shqiptarët konsumuan më pak ushqime dhe mallra të përpunuar importi, gjë që është tregues i drejtpërdrejtë i fuqisë së tyre blerëse. Rënia e fortë e importeve u shoqërua edhe me rënien e të ardhurave të buxhetit të shtetit në këta muaj, gjë që solli vështirësi serioze për Ministrinë e Financave. Shumë ekspertë besojnë se muaji tetor qe më i vështiri për ekonominë dhe se gjatë këtij viti shpresohet se nuk do të ketë rënie të mëtejshme.
Eksportet në përmirësim
Eksportet duket se ranë në ditën më të keqe gjatë muajve prill qershor, ndërsa filluan të rikuperojnë në pjesën e dytë të vitit. Në dhjetor u shënua muaji i vetëm pozitiv i vitit me një rritje prej 27 për qind kundrejt dhjetorit 2008. Eksportet patën rënë me 24 për qind në terma vjetorë në prill. Shkaku kryesor i rënies së eksporteve qenë vështirësitë në Itali, vendi që gjatë dekadës së fundit ka blerë shumicën dërrmuese të prodhimeve të manifakturës shqiptare. Industria vendëse duket se ka ditur të përshtatet me kushtet e reja, duke kërkuar blerës për shërbimet e tyre në vende të tjera të Europës.
#