Tryeza PS: Hapja e kutive nuk negociohet
Autori i Lajmit: RedaksiaPartia Socialiste nuk tërhiqet nga hapja e kutive të votimit. Edhe dje në një deklaratë për shtyp, deputeti i PS-së, Namik Dokle ka theksuar se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës kërkoi qartë hetimin e zgjedhjeve ndërsa mazhoranca kërkon të krijojë labirinte artificiale. Sipas Dokles mazhoranca qeverisëse po përpiqet të mohojë edhe krizën politike çka theksohet qartë dhe fort në rezolutën e KE-së. Ai theksoi se ashtu siç deklaroi dhe kreu i PS-së, Edi Rama, selia rozë është e gatshme për tryezën e dialogut në praninë e Presidentit të Republikës por deri tani mungon vullneti nga PD. Dokle ritheksoi se PS do ta çojë deri në fund kërkesën e saj për hetimin e plotë të zgjedhjeve me rrugë ligjore apo qoftë me protesta demokratike.
Angazhimi
Dokle ritheksoi dje qëndrimet e ndërkombëtarëve ndërsa pohoi se çdo ditë e më shumë po shtohet numri i faktorëve shqiptarë e të huaj që pohojnë se Shqipëria ndodhet në një krizë politike dhe se nevojitet në mënyrë urgjente zgjidhja e kësaj krize përmes dialogut. “Ditën e djeshme, përfaqësues të Këshillit të Evropës jo vetëm ritheksuan këtë fakt, që gjendet shkruar e bardhë mbi të zezë në rezolutën e miratuar në Asamblenë Parlamentare, por paralajmëruan se kjo krizë rrezikon të marrë përmasa edhe më të rrezikshme me pasoja të rënda për vendin nëse partitë politike neglizhojnë të angazhohen në bisedime”, - tha ai por shtoi se hipokrizia politike dhe mashtrimi mediatik i krerëve të qeverisë, kuvendit dhe Partisë Demokratike, shumë shpejt zuri vendin e fjalëve të tyre përshëndetëse për Rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Dokle theksoi se asambleja konfirmoi krizën politike të shkaktuar nga Qeveria, kurse mazhoranca e mohon. “Asambleja kërkoi hetimin e zgjedhjeve, kurse ata dredhojnë nëpër labirinte pa rrugëdalje. Asambleja do të dërgoj komision monitorimi për zgjidhjen e krizës, kurse ata ngrenë barriera për të fshehur të vërtetën. Asambleja kërkoi dialog në tryezën politike të presidentit, kurse ata përpiqen ta shumëzojnë me zero e ta bëjnë inekzistent me presione te ndryshme”, - tha ligjvënësi socialsit. Sipas tij me këtë papërgjegjshmëri totale, mazhoranca nuk bën gjë tjetër veçse e rëndon krizën por shtoi ai, opozita e bashkuar nuk do të lejojë që pasojat e krizës të rëndojnë mbi shqiptarët. Dokle paralajmëroi rifillimin e protestave nëse nuk arrihet konsensusi i duhur për nisjen e dialogut por me kusht që të pranohet nga mazhoranca hetimi i plotë i zgjedhjeve të 28 qershorit. “Përmes Kryetarit të PS, jemi shprehur të gatshëm për të qenë pjesë e një tryeze negociatore me praninë e Presidentit, por deri me tash ky vullnet nuk është parë nga Partia Demokratike. Me rrugë ligjore, apo me protesta demokratike, opozita do ta çojë deri në fund aksionin e saj politik dhe emancipues, do ta çojë deri në fund realizimin e kërkesave të saj për hetim dhe transparencë të plotë të procesit zgjedhor: në kuti dhe jashtë kutive, për ti dhënë fund një herë e përgjithmonë manipulimit dhe vjedhjes së zgjedhjeve që është kthyer në një kancer për demokracinë”, - tha ai.
Ky lajm është publikuar: 01/02/2010