E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tryeza e Mjedës, mollë sherri mes Arqipeshkvisë e muzeut të Shkodrës

SHKODER - Monsinjor Angelo Massafra në emër të Arqipeshkvisë Shkodër-Pult i ka dërguar një kërkesë zyrtare Ministrisë së Kulturës, me anë të së cilës këmbëngul për kthimin e tryezës së Ndre Mjedës tek kisha. Për dijeni, kjo kërkesë (që mban datën 16 maj) i shkon edhe Muzeut Historik të Shkodrës, institucion i cili prej 23 vitesh e mban këtë objekt të poetit e priftit të njohur shqiptar (sipas Kishës pa të drejtë) që ka shërbyer në Kukël (Shkodër). Në fund, Massafra shënon se në rast se kjo kërkesë nuk do të merret parasysh, ai do të jetë i detyruar t'i drejtohet gjykatës për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Nga ana tjetër, i kontaktuar nga "GSH" Dom Nikë Ukgjini, famullitar i Kuklit, ku dekada më parë ka shërbyer Mjeda, shton se do të ngrejë padi ndaj bashkisë së qytetit verior, për shkak se gjatë viteve të demokracisë ajo është dëmtuar. Më poshtë po botojmë kërkesën e plotë të Arqipeshkvisë së Shkodrës.
Kërkesa e plotë
Ju drejtohem me ketë kërkesë për kthimin e tavolinës (skrivanisë) së poetit Ndre Mjeda pranë Kishës dhe shtëpisë Monument Kulture të Ndre Mjedës, duke sqaruar si më poshtë:
Meqenëse, Kisha dhe shtëpia e famullitarit Dom Ndre Mjeda, së bashku me inventarin në vitin 1967 kanë qenë konfiskuar nga Shteti Shqiptar ateist, me vendimin nr. 188 datë 10/03/1995 "Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave" është vendosur:
"Në bazë të nenit 4 të ligjit 7698 datë 15/04/1993 Kryeipeshkvisë Metropolitane të Shkodrës" i kthej pronësinë për pronën truall me sipërfaqe 10000 m2 e ndodhur në fshatin Kukël të komunës Bushat, mbi të cilën ndodhet e ndërtuar Kisha, Qela (shtëpia) dhe ambientet funksionale të tyre që kufizohet nga veriu dhe lindja me arë, jugu dhe perëndimi me mall".
Ky vendim është transkriptuar në radhorin e pronësisë nr. 431 datë 23/03/1995. Aktualisht kjo Kishë-Qelë (shtëpi) dhe ambienti është nën administrimin e famullitarit Dom Nikë Ukgjinit.
Në vitin 1962 dhoma muze e poetit është kthyer në shtëpinë muze të Ndre Mjedës. Shtëpia muze me rastin e tërmetit 15/04/1979 qe dëmtuar rëndë dhe në shkurt të vitit 1981 sipas dok. të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Shkodrës, dt. 12 01, 1981; dt. 7. 02. 1981, është iniciuar restaurimi i shtëpisë muze. Gjatë periudhës 1962, 1981-1990 objekti (tavolina) e poetit Mjeda, i cili ka shërbyer në Kukël, komuna Bushat, për 30 vite me radhë, ka qenë pronë e këtij kompleksi. Me ndryshimet që ndodhën në vitin 1990-1991, objektet e shtëpisë muze bashkë me to edhe tryeza kanë kaluar në ruajtje në Muzeut Historik Kombëtar.
Tavolina në fjalë është ruajtur në kushte të mjerueshme në depon e Muzeut Historik Shkodër për 23 vite me radhë, duke mos u ekspozuar fare. Duke mos e kryer asnjëherë funksionin unik të promovimit të vlerave të rralla të saj, për stilin artistik të ndërtimit dhe ndjesitë kulturore që do të përcillte tek vizitorët, çfarë e dëshmon foto e vitit 2009.
Për sa më lart rezulton se Muzeu Historik i Shkodrës nuk ka kryer funksionin e tij mbështetur në ligjin nr. 9048 datë 07/04/2003 "Për Trashëgiminë Kulturore" i ndryshuar. Neni 13 "Personat fizikë ose juridikë që kanë në pronësi objekte të regjistruara me vlera të trashëgimisë kulturore, të luajtshme e të paluajtshme, janë të detyruar të krijojnë kushte mirëmbajtjeje për këto objekte".
Neni 16 pika 1. "Institucionet e specializuara shtetërore, në marrëveshje me pronarët dhe zotëruesit e objekteve të trashëgimisë kulturore, krijojnë kushte për ekspozimin e këtyre objekteve për publikun".
Gjithashtu kërkesa jonë për kthimin e tryezës në vendin e origjinës, Kisha e Kuklit, Arqipeshkvia Shkodrës, mbështetet edhe në Urdhrin nr. 264 datë 25 /07 /2012 lëshuar nga ministri Aldo Bumçi, i cili për tavolinën e Mjedës ndër të tjera shprehet: "Për kompletimin e monumentit të kulturës, kompleksit 'Ndre Mjeda Kishë-Çele' të restaurohet pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës tavolina e punës së Ndre Mjedës".
Duke pasur parasysh se kushtet tani janë të favorshme për ekspozimin para dashamirësve të kulturës mbarëkombëtare, në kompleksin 'Ndre Mjeda, Monument Kulture', mbështetur në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave kishtare, faktit se ky objekt sipas dokumenteve të kohës nuk ka qenë nga ana ligjore asnjëherë pronë e Muzeut Historik të Shkodrës, por përkundrazi ka qenë e dëmtuar për 23 vite me radhë, kërkojmë nga ana juaj rikthimin e tavolinës së poetit në vendin e origjinës, Kishës së Kuklit, Arqipeshkvia Shkodër-Pult. Nëse kërkesa jonë nuk merret parasysh nga ana juaj, jemi të detyruar t'i drejtohemi gjykatës për e zgjidhjen e kësaj çështjeje. Arqipeshkvia Shkodër-Pult, Mons. Angelo Massafra.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›