Tryeza e Presidentit dhe Edvini - “fëmija” besnik i enverizmit
Opozita socialiste shkon në tryezën e sotme të dialogut me një bilanc më shumë se negativ. Interesante padyshim është diskutimi se si arriti ajo deri në këtë pikë, në prag të falimentimit dhe e detyruar që të ulet për dialog nën presionin e ndërkombëtarëve, nën kujdestarinë e Këshillit të Europës dhe Asamblesë Parlamentare të saj, por edhe mekanizmave të tjerë të tjerë në Tiranë si Presidenca spanjolle e radhës së BE-së, Komisioni Europian apo OSBE. Katandisja e PS-së në këtë pikë është rezultat i një periudhe të tërë mohimi të rregullave të brendshme demokratike, ryshfeteve të dhëna e të marra drejt kryetarit të saj për të marrë vende deputetesh dhe postesh të larta partiake. Të gjitha këto e fundosën Partinë Socialiste në humnerën e pavetëdijes duke e cuar në prag të falimentimit politik. Ndaj edhe tryeza e dialogut për PS-në në fakt nuk është gjë tjetër veçse një shans i dhënë për të, si një gomone pas të cilës Edi Rama mund të kapet dhe të thotë se po bën çmos që të shpëtojë veten dhe shokët të cilëve në fakt po përpiqet që t’ua hedhë me lloj-lloj formulash që të mos i kërkojnë mbrapsht paratë që mund të jenë ofruar me bujari në periudhën parazgjedhore. Tryeza e sotme në fakt është një provë për të gjithë sistemin politik shqiptar nëse do të mundet që të shtrijë edhe njëherë dorën tek një i sëmurë që rrezikon të fundosë vendin në kaosin e marrëzisë personale. Pas kësaj tryeze vetë Partia Socialiste duhet ta dijë se asaj do i duhet një mënyrë e re e të bërit politikë, një ndryshim i lidershipit qoftë edhe me kosto të rëndë. Në të vërtetë që të mund të bëjmë analizën se përse të gjitha organizmat ndërkombëtare ruajtën gjakftohtësinë me Ramën duhet ta pranojmë se sistemi politik në vend është i ndërthurur dhe i ndërlidhur mes shoqërisë dhe institucioneve. Hallka e ndërvarësisë nuk mund të mësohet dhe Edi Rama si makiavelist dhe kundërshtar i sistemit të vlerave të kapitalit dhe perëndimit e di se si funksionon sistemi. Ndaj edhe u përpoq dhe përpiqet që të thyejë dhunshëm hallakt demokratike të funksionimit të sistemit demokratik duke sulmuar Prokurorinë, qeverinë, institucionet, ministritë, ndërkombëtarët madje edhe shoqërinë civile shqiptare. Turravrapi i tij i dhunës nuk merr parasysh asgjë. Ai kërkon të thyejë çdo hallkë të sistemit demokratik që të nxisë reaksionin zinxhir të kaosit dhe mosfunksionimit të një hapësirë ku ai nuk ka pjesën e vet. Ndaj edhe parullat dhe thirrjet që dëgjojmë shpesh për protesta duket se janë karikatura të armëve pa fishekë që Rama vringëllon mbi kokën e demokracisë prej kohësh. Ai i përsërit dhe i përsërit ato sepse e di fare mirë se nuk ka asnjë mënyrë që të plotësohet qoftë edhe gjëja më e vogël e kërkesave të tij. Të mos plotësohet asgjë që ai pastaj të kundrojë ngritjen e alibisë për skenën e dhunës dhe represionit politik ku kërkon të fusë gjithë jetën shqiptare. Kjo është taktika alogjike e Ramës që kërkon të shkëputë me forcë komunikimin shoqëror mes dy anëve të politikës dhe pastaj me jetën institucionale të vendit që vendi të shkojë në kaos në prag të hyrjes në sistemin e lëvizjes së lirë në vendet e Shengenit. Britmat për protesta, për bllokime të qyteteve dhe shërbimeve janë vetëm manovër që të mbajë gjallë shpresën e të pashpresëve që kur humbin me zgjedhje të lira ëndërrojnë kaosin për rikthimin në pushtet. Edi Rama po përdor presionin e imazhit për të transmetuar ndër radhët e militantëve se “Gjendja po shpërthen, ajo nga çasti në çast do të sjellë rrëzimin e qeverisë, etj”. Në tryezën e sotme Rama shkon për të paraqitur edhe njëherë modelin enverist që i dorëzoi botës shoqëri të shkatërruara si në vlerat morale ashtu edhe ato ekonomike. Edi Rama shkon në tryezën e sotme si një fëmijë i llastuar që kërkon për të disatën herë të përdorë grevat, protestat, sindikatat, shantazhet e gjithë farë lloji si lodra të tij. Ai mbetet i rrezikshëm, një i parritur, i cili mund të bëjë shumë zhurmë kur shoqëria vendos që t’i heqë nga goja biberonin e pushtetit. Ky model është bajat, ndërkombëtarët dhe Presidenti duhet të vendosin sot të qetësojnë për të fundit herë këtë plangprishës të pluralizmit....