E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëzimi i binomit Dule-Bollano në minoritet

Prej kohësh minoriteti grek në Shqipëri ka mbetur peng i lidershipit të tij të unifikuar dhe materializuar Dule-Bollano. Dalja e një partie të re demokratike ndër radhët e grekëve me kombësi, që banojnë dhe jetojnë në Shqipëri, është një ngjarje që duhet parë në kontekstin e zgjerimit të vlerave të demokracisë nën qeverisjen aktuale. është fakt i pamohueshëm se qeveria e djathtë në Shqipëri gjatë viteve të qeverisjes së saj bëri realitet disa prej kërkesave më emocionale të Greqisë dhe minoritetit grek në Shqipëri duke futur këtu hapjen e shkollave greke në zona me sensibilitet të madh shoqëror, miratimin e varrezave për ushtarët grekë të rënë në tokën shqiptare gjatë luftës së dytë botërore, si shenjë humanizmi, mbylljen e marrëveshjes për ujërat, regjistrimi i etnicitetit dhe besimit i popullsisë e shumë të tjera. Deri më tani Berisha dhe Partia Demokratike nuk është përfshirë dhe nuk është ngatërruar në zonat e minoritetit për të vënë kandidatura të vetat duke u lënë fushë të lirë bijve të minoritarëve që të konkurronin mes vetes dhe të fitonin. Kjo në një kohë kur PS ka kontribuar vetëm për të përçarë radhët e minoritarëve prej të cilëve ka marrë edhe shumë vota. Njëanshmërisht, Dule dhe Bollano bashkëpunuan në zgjedhjet e fundit me Edi Ramën duke provuar se kanë shpërdoruar këtë hapësirë që qeveria e djathtë u ka dhënë ndër vite. Ata provuan se nuk dinë të administrojnë hapësirat demokratike, i keqpërdorin ato dhe më pas fajësojnë të tjerët për paditurinë dhe ligësinë e tyre politike. Ndaj edhe nevoja e minoritetit për t’u përfaqësuar në struktura të tjera që shprehin më mirë dëshirat dhe ëndrrat e tyre është një ogur i mirë. Madje partia e re që po krijohet ndër radhët e minoritetit aktivizon shumicën e njerëzve të kryesisë së Omonias çka është një vazhdimësi në thelb, por me rregulla të reja dhe me lidership të rinovuar. E gjithë kjo kuptohet se ka nxitur panikun e binomit tradicionalist e të dalë mode Dule-Bollano të cilët përpiqen me sa mund të kapin nga mënga zyrtarë të Athinës që t’i kenë si kapital për t’ia kundërvënë Berishës, i cili deri më tani është i orientuar shumë i balancuar dhe i kujdesshëm në brezin e minoritetit. Duke qenë realist, Berisha ka lënë pas krahëve emocionet tradicionale të politikës shqiptare dhe u jep mbështetje në minoritet atyre figurave që kanë provuar se bëjnë për komunitetin dhe gëzojnë mbështetjen e tyre. Dule-Bollano duke qenë tejet të shkëputur nga terreni dhe realiteti i nevojave të komunitetit të minoritetit grek në Shqipëri nuk mundën të zgjedhin asnjë kandidaturë fituese në zgjedhjet e vitit 2009. Kjo dhe kodi i ri zgjedhor me ligjin e proporcionalitetit i nxori nga loja politike qendrore duke i lënë në periferi, ndërsa bëri të kundërtën për një grup njerëzish të tjerë që sot mbajnë poste të larta të administratës shtetërore. Paniku dhe frika që përhapin Dule, detashmentet e tij, por edhe Bollano për gjoja dhunim të procedurave zgjedhore apo gjoja ndërhyrje në punët e brendshme të minoritetit nuk janë reale. Kaq vite në fakt askush nuk i pengoi ata zotërinj që të zgjedhin ata që duhej për fitore. Ata mund të bëjnë koalicion me çdo forcë politike, por gabimi në përzgjedhjen e njerëzve që mund të të sjellin votat është abuzim me ndjenjat e minoritarëve, madje abuzim edhe me ndjenjat e atyre që Dule e Bollano në mënyrë demagogjike I mbajnë si më të zjarrtit që mbështesin deri edhe ëndrrat për patetizmat e së kaluarës. Binomi i të dyve nuk mund të jetë përfaqësimi i vetëm i minoritarëve dhe nevoja për një përfaqësim real e të vërtetë shpresohet të ndodhë nën çatinë e një force të re politike që mbart vlerat më të mira të Omonias dhe minoritarëve me të vërtetë grekë të Shqipërisë....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›