PE: Tryeza, moment kyç që opozita të thyejë bojkotin dhe të rikthehet në parlament

Buzek: Inkurajoj liderët politik në Shqipërisë që t’i bashkëngjiten dialogut për t’i dhënë fund ngecjes politike Presidenti i Parlamentit Evropian, Jerzy Busek dhe kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme të PE, Gabriele Albertini, shprehen se tryeza e nesërme e Presidentit Topi, duhet të inkurajojë palët politike, në mënyrë që të gjendet rruga e përbashkët ndërmjet dy palëve dhe të rikthehet opozita në parlament. Në dy deklarata të veçanta, të dy zyrtarët e lartë të Parlamentit Evropian, i kujtojnë Edi Ramës, rezolutën e miratuar nga PE, më 26 nëntor të vitit të kaluar, mbi situatën politike në Shqipëri dhe apeli që i është bërë opozitës, për të ndërprerë bojkotin e parlamentit.Jerzy Buzek: Presidenti i Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek shprehet se negociatat e sotme pozitë-opozitë do të japin rezultate të prekshme për kapërcimin me sukses të ngërçit politik në vend. “Do të doja të inkurajoja të gjithë liderët politikë të Shqipërisë për tu angazhuar në dialog, me qëllim që t’i jepet fund ngecjes politike. Konsideroj të mirëpritur nismën e Presidentit Topi për të organizuar negociatat tryezë të rrumbullakët me krerët e qeverisë dhe opozitës në Tiranë dhe shpresoj që këto bisedime të çojë në zgjidhjen me sukses. Do të doja të inkurajoja liderët politikë të Shqipërisë për t’i dhënë fund ngecjes politike, të pushojë sa më parë bojkoti i parlamentit, dhe të ecet përpara me reformat e nevojshme dhe vijimin e axhendës së integrimit evropian”, - shprehet Buzek, duke shtuar se “pres me padurim të marr lajme inkurajuese nga Tirana”. Lidhur me pretendimet dhe kërkesat e Partisë Socialiste për zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit, Buzek deklaroi se për ato janë shprehur institucionet gjyqësore dhe se është i tepër çdo interpretim i kundërt. Ai vuri në dukje se Parlamenti Evropian është shprehur qartazi në rezolutën e miratuar rreth situatës në Shqipëri, në nëntor të vitit të kaluar. “Në rezolutën e miratuar më 26 nëntor 2009 mbi strategjinë e zgjerimit, Parlamenti Europian i bëri thirrje opozitës që të ndalë bojkotin e parlamentit dhe i bëri thirrje të kryeja detyrën e saj, për të përfaqësuar votuesit në parlament. Zgjedhjet e qershorit u monitoruar dhe u vlerësuan si brenda standardeve nga OSBE/ODIHR”, vijon më tej, deklaratën e tij, Presidenti i Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek.Gabriele Albertini: Zyrtari i lartë i Parlamentit Evropian, Gabriele Albertini shprehet se kërkesa e Partisë Socialiste për të rihapur kutitë e votimit të zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit, nuk mund dhe nuk duhet të pranohet. “Albertini deklaron se Parlamenti Evropian ka publikuar tashmë një rezolutë për këtë qëllim mbi dokumentin e strategjisë për zgjerimin, në nëntor të 2009-ës, ku unë kam qenë raportues. Në veçanti Parlamenti Evropian u shpreh se njeh progresin e bërë nga Shqipëria që nga raporti i fundit mbi progresin. I kërkon opozitës t’i japë fund bojkotit të parlamentit dhe e fton atë të kryejë detyrimet e saj, për të përfaqësuar zgjedhësit në parlament”, - deklaron në reagimin e tij Albertini. Duke iu referuar pretendimeve të PS, kreu i Komisionit për Politikën e Jashtme të Parlamentit Evropian, Gabriele Albertini, tha se “kërkesat konsiderohen të pajustifikuara, për shkak të mungesës totale të provave, por edhe sepse i hodhi poshtë KQZ dhe Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit të Tiranës (Vendimi nr. 08, dt. 22.07.2009) , organi i vetëm kompetent në këtë çështje”. “është e dobishme t’i kujtojmë z. Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste shqiptare, që të ndërpresë bojkotin e parlamentit të vendit të tij. Unë shpresoj që parlamenti shqiptar të kthehet shpejt në funksionimin e tij normal dhe që në asnjë mënyrë apo tjetër, të mos pengohen aspiratat e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, përfundon deklaratën e tij, Gabriele Albertini....