Tryeza e dialogut, zbulohen detajet, Berisha e Rama të shoqëruar
TIRANE- Vetëm pak orë pasi dy krerët e politikës shqiptare të ulen në tryezën e kreut të shtetit në takimin që do të mbahet të shtunën në orën 11:00, mësohen disa nga detajet e këtij takimi. Të paktën për momentin mësohet se Kryeministri Berisha do të shkojë në Presidencë i shoqëruar nga kreu i kreu i Grupit të demokratëve Astrit Patozi ndërsa kreu i socialistëve Edi Rama i shoqëruar nga kreu i Asamblesë Gramoz Ruci. Vetë Presidenca nuk ka një informacion të qartë nëse të ftuarit e Presidentit do të jenë të shoqëruar apo jo dhe mësohet se vendimtar për këtë do të jetë Kryeministri Berisha i cili pritet të vendosë një detaj të tillë pas kthimit nga Italia pasditen e sotme. Por cka është më e rëndësishme nga ky takim është se bashkëbiseduesit nuk do të kenë mbi tryezë një projekt/marrëveshje për daljen nga kriza dhe se në qendër të bisedës së tyre do të jetë rezoluta e Këshillit të Europës e shoqëruar nga vullneti për të bërë përpjekje për arritjen e një kompromisi, ku të dyja palëve do tu duhet të lëshojnë pe. Nga selitë e partive mësohet se do të jenë ekspertët që do të punojnë më pas për gjetjen e një kompromisi , ndërsa burime nga Presidenca bëjnë të ditur për News24 se takimi i shumëpritur do të mbahet në një sallë pritje në katin e dytë të Presidencës , ndërkohë që Berisha dhe Rama do të hyjnë në ndërtesë në kushte jo të barabarta. Protokolli shqiptar parashikon që kryeministrat, ministrat dhe zyrtarë të lartë të huaj dhe vendas të hyjnë nga dera kryesore e Presidencës, ndërsa krerët e partive nga hyrja anësore. Burimet bëjnë gjithashtu me dije se mediat, edhe pse do të kenë një interesim të madh do të lejohen të bëjnë vetëm disa plane të takimit ende pa filluar dhe më pas zyra e shtypit e Presidencës do të kujdeset për ti lajmëruar ata për përfundimin e bisedimeve, nga ku pritet të bëhet dhe një deklaratë ose nga kreu i shtetit ose dhe nga dy krerët e partive, detaj që do të vendoset gjithashtu në tryezë. (e.n/News24/BalkanWeb)