E Shtunë, 31 Tetor 2026

T‘u kthejmë reformave domethënien e shprishur

Si ta përdorim fjalën reformë dhe ku? Është një nga detyrat më të vështira që po na shfaqet në këto mori përdorimesh e keqpërdorimesh, nëse duam vërtet të vendosim rregull në konceptimin e tyre dhe të shpëtojmë idenë e përmirësimit të demokracisë.

Ideja dhe koncepti në fjalë po përdoret sot kudo; në ekonomi, arsim dhe edukim, por mbi të gjitha në drejtësi. Këto janë fushat më të dukshme, pasi përdorimi në shumë drejtime të tjera është shtrirë deri në atë masë, sa ta bëjë tashmë të pamodelueshëm e të paperceptueshëm edhe vetë konceptin, aq sa dyshimi është bërë më se i përligjshëm. Mos vallë reformizmi i shumëpremtuar po kalon një krizë të rëndë, që të ashtuquajturit reformistë mundohen ta fshehin me "ulërima" dhe truke mediatike? Ndoshta ato janë kthyer në një alibi të atij që nuk di më ç‘do të thotë në thellësi një transformim reformues. Ka fjalë të caktuara, që janë si të qeverisura nga Irinitë, hyjnitë e hakmarrjes. Rishfaqen e shpërhapen kur domethënia e tyre çnatyrizohet e pështjellohet deri në davaritje. Kanë ekzistencën e atyre njerëzve të brishtë e pluskues. Për këtë arsye, ato duhet të dimë si t‘i përdorim me kursimin më të skajshëm, për t‘i mbrojtur sa më shumë. Në pritje të ringjalljes së tyre të vërtetë, me fakte e ngjarje konkrete, do të ishte më mirë të përdornim terma të tjerë për reformat, për të mos i ngatërruar me atë forcë aq mishëruese të një organizmi të gjallë, apo të një ideje pedagogjike, siç është në thelb reformizmi. E këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me një korrektësi gjuhësore, por përkundrazi, konceptuale. Pastërtia e politikës, kthjelltësia e saj dhe e mendjeve drejtuese, fillon gjithmonë nga pastrimi i fjalëve më të shprishura nga përdorimi i keq. Shqipëria, për të thënë të drejtën, nuk është vendi i vetëm i infektuar nga kjo sindromë. Dhe ekonomia, arsimi, drejtësia e politika nuk janë të vetmet terrene ku shihet të jetë i pështjelluar koncepti i reformës. Reformistë falsë po shfaqen kudo, e ç‘është më e keqja ata paraqiten me personalitete goxha të forta.

Në një artikull të "Foreign Policy", ekonomisti-psikolog Daniel Kahneman (çmimi "Nobel" në vitin 2002) dhe politologu Jonathan Renshon, pyesin se si është e mundur vallë që në historinë politike e njerëzore, skifterët arrijnë gati gjithmonë të mbizotërojnë mbi pëllumbat. Arrijnë të kenë sukses, përgjigjen studiuesit, sepse zotërojnë paragjykime më të forta, opinione të paluajtshme, e mbi të gjitha iluzione më thjeshtësuese. Ushqehen me parakoncepte të pavërtetuara, e më bindëse nga këndvështrimi demagogjik. Për shembull nga parakoncepti i kundërshtarit, të gjykuar si thellësisht armiqësor. Së dyti, nga një parakoncept që lind nga optimizmi i pakufi, të cilin Kahneman dhe Gershon e quajnë "iluzioni i kontrollit". Skifterët janë të bindur të jenë më të mirët, më të zotët, më brilantët dhe më tërheqësit në media. Ndonjëherë janë, por shpesh kjo parësi e tyre është një ves: vesi i atij që i mbivlerëson sukseset e veta, që e ekzagjeron kontrollin që mund të ketë mbi ngjarjet, që i fsheh debulesat si të vartësve, ashtu dhe të rivalit.

Ndërkohë ky lloj reformizmi që po vëmë re gjatë këtyre viteve, përtej dëshirës së mirë, ndoshta përtej dhe pasionit të shfaqur, vuan nga karakteristikat më të dukshme që duhet të ketë një transformator autentik. Nuk zotëron durimin e këtij të fundit, e as thjeshtësinë e përulësinë e tij. Ka ngut të pamotivuar për të arritur qëllimin që i ka vënë vetes. Ashtu si Orfeu në poezitë e Rilkes, do medoemos ta shpëtojë Euridiçen e vet, por sheh përpara i mbytur i tëri nga padurimi dhe pamaturia, duke "e përpirë rrugën me kafshata të mëdha, pa e përtypur". Vetëm duke përtypur rrugën mund të bësh vërtet reforma serioze, ndryshe do të paguash çmimin e tyre, të bëhesh i prekshëm, i goditshëm, të vihesh në lojë e të mbetesh pa rezerva për të fantazuar misione shpëtimi.

Për ta konkretizuar, le të marrim një aspekt kyç të reformizmit që propozohet sot, atë të drejtësisë dhe funksionimit të shtetit ligjor. Le të gjykojmë nëse po zhvillohet apo jo reforma e kthimit të madhështisë dhe fuqisë së ligjit në institucionet dhe marrëdhëniet tona civile dhe penale, por para së gjithash në perceptimin e tyre nga ana e qytetarëve. A ka rast më konkret, a ka mundësi më të mirë për ta kthyer në skenë këtë madhështi të ligjit se sa ai i heqjes së imunitetit nga ana e Parlamentit, për ish-ministrin tonë të mbrojtjes dhe për shpënien deri në fund të gjykimit të tij për tragjedinë e Gërdecit? Nuk mund të themi se ai është apo s‘është fajtor përpara ligjit. E për më tepër një gjë e tillë është personale, s‘na intereson. Ajo që duam është raporti që duhet të ketë çdo pushtetar, qoftë ministër, deputet apo dhe më lart, me ligjin. Atëherë pse nuk respektohet urgjent procedura nga ana e Parlamentit? Pse i vihen pengore e ndalesa Prokurores së Përgjithshme apo dhe vetë sugjerimit të Presidentit? Ku është sensi etik i përgjegjshmërisë që trumbetohet në emër të reformave? A s‘do të qe përfundimi i shpejtë dhe rigoroz i kësaj çështjeje një bonus i madh për qeverinë, një rikthim e ringjallje i parimeve të reformizmit të vërtetë. Aq më tepër që dihet se reformat të tilla, veçanërisht në drejtësi, lipset të shihen si një organizëm i gjallë, e nuk duhet të ngurtësohen në skema të caktuara, e për më tepër se kanë valencë psikologjike. Drejtësia dhe mosbesimi i njerëzve kundrejt saj është një raport i vështirë që duhet ndryshuar. Po si?

Na duhet shembulli që të fillojë e të ngjizet besimi. Ai realisht na mungon edhe tani, siç na ka munguar gjithmonë këto 17 vjet. Dhe ai shembull nuk ka për të trokitur kurrë, kur edhe për një ngjarje si tragjedia e Gërdecit, për të cilën në mënyrë të pabesueshme, po veprohet si një ngjarje rutinë. Dhe kjo është fyerje nga ana e Parlamentit shqiptar.

T‘i rikthesh madhështinë ligjit nuk është vetëm një çështje etike. Është një organizim i domosdoshëm që të rifillojë punën ekonomia; t‘i rikthesh madhështinë ligjit nuk do të thotë t‘i ulësh tonet me shpresën e kalimit të kohës dhe uljes së konflikteve, por t‘i heqësh konfliktit llumin e degjenerimit dhe papërgjegjshmërisë. E kjo duket vërtet një detyrë jonjerëzore për brumin e Parlamentit shqiptar. Në një kohë kur duhet të jetë ai shembulli i parë e domethënës.

Frika mund të jetë këshilltari më i keq, por edhe i mirë, sepse frika se kushedi ç‘mund t‘i ndodhë këtij deputeti, të mikluar nga të dyja anët, mund të shërbejë për të bërë realitet edhe raste të shëndoshjes së ndërgjegjes politike. Kjo do t‘i ringjallte shpresat e atij reformizmi autentik që shpjeguam. Tek e fundit gjithçka vërtitet te një gjë: në një komunitet të organizuar lipset patjetër dinjiteti i ushtrimit të detyrës së të qeverisurit, i mbajtjes drejt të timonit. E ky është një rast i shkëlqyer dhe reformë-matës për gjithë klasën politike dhe institucionet e drejtësisë shqiptare. Është një nga hapat e parë për t‘u kthyer reformave në drejtësi domethënien e shprishur.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›