E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tuneli Kalimashit, ngrihet njësia anti-zjarr

Në dy tunelet që janë pjesë e rrugës Durrës-Kukës-Morinë do të ngrihet një njësi për mbrojtjen kundër zjarrit. Këshilli i ministrave vendosi dje që në tunelin Thirrë-Kalimash, në anën, që lidhet me qytetin e Kukësit, të ngrihet stacioni i policisë së mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit, si pjesë e sistemit të Drejtorisë së Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (PMNZSH).

"Emërimi, titullimi, transferimi dhe lirimi nga detyra e oficerit të stacionit të PMNZSH-së në këtë objekt të bëhen nga ministri i Brendshëm",- thuhet në vendim. Ndërsa personeli i shërbimit të këtij stacioni do të emërohet nga prefekti i qarkut, por me propozim të shefit të PMNZSH-së së objektit, në përputhje me kriteret e përcaktuara në ligj.


Efekti financiar për ngritjen dhe funksionimin e stacionit të PMNZSH-së, do të jetë 10.6 milionë lekë 10 612 000, për shpenzime personeli. Ky fond do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Njëri nga tunelet e segmentit rrugor Durrës-Kukës ka nisur nga puna në fund të muajit qershor për qarkullimin e mjeteve, megjithëse për momentin nuk është i disponueshëm 24 orë.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›