Aksidentet, 3 vetë vdesin, plagosen dy familje
Punimet në rrugë dhe shpejtësia tej normave të lejuara deklarohen si shkaqe për aksidentet e shumta në vend
Aksidentet kanë marrë jetën e tre personave dje në vend, ndërsa shumë të tjerë, mes të cilëve edhe tre anëtarë të një familjeje janë plagosur. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se dy prej viktimave kanë ndërruar jetë në Durrës, ndërsa një tjetër në qytetin e Shkodrës. Kështu, dy vdekje kanë ndodhur në një hark kohor prej 6 orësh në plazhin e Durrësit.
Trafiku i rënduar dhe drejtuesit e mjeteve që ecin me shpejtësi tej normave të lejuara në një mjedis të mbingarkuar dhe me pushues të shumtë duket se kanë qenë shkak dhe për këto aksidente. Sipas policisë, aksidenti i parë ka ndodhur të mërkurën në aksin Ura e Dajlanit - Plepa në afërsi të vendit të quajtur Rrota e Kuqe. Aty është aksidentuar nga një motoçikletë këmbësori Daut Arifi, 73 vjeç, banues në lagjen 13.
Ai është dërguar në spital, por pas 5 orësh mjekim ka ndërruar jetë. Ndërsa drejtuesi i automjetit fillimisht është larguar nga vendngjarja për t'u vetëdorëzuar më pas në polici. Po e njëjta ngjarje ka ndodhur dhe me një pushues nga Memaliaj që ka humbur jetën teksa kalonte në këmbë në afërsi të Plepave. Sipas dëshmitarëve okularë në vendngjarje, i moshuari Xhevat Nelaj, 75 vjeç, është goditur nga një automjet i cili po lëvizte me shpejtësi.
Policia ka shoqëruar drejtuesin e mjetit, 22-vjeçarin Ermal Koka. Aksidenti tjetër është regjistruar në aksin Rrashbull - Sukth ku mjeti me targa DR 4226 C ka aksidentuar 8-vjeçarin A.D., banues në Sukth, i cili ka dashur të kalojë nga njëra anë e rrugës në tjetrën, për të shkuar në shtëpi.
Fëmija tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa një automjet tip "Ford" është përplasur me një motoçikletë ku kanë mbetur të dëmtuar shtetasit Edmond Alla dhe Aishe Alla, përkatësisht 21 vjeç dhe 47 vjeçe.
Një aksidenti i trefishtë në qarkun e Durrësit është shënuar në aksin rrugor Fushë-Krujë - Maminas. Frenimi i menjëhershëm i një automjeti tip "Benz" ka bërë që të përplasen me të dy makina të tjera, të cilat janë dëmtuar shumë duke lënduar edhe pasagjerët që udhëtonin me to. Njoftimet bëjne me dije se përplasja e tre automjeteve, dy benzave dhe një foristrade ka ndodhur në kohën kur të tria makinat lëviznin në drejtim të Fushë-Krujës.
Duke qenë se rruga ka mjaft pengesa të shkaktuara nga inertet, një prej mjeteve ka frenuar papritur kur ka parë nga afër edhe pengesen e lënë në rrugë nga punonjësit e ndërtimit të rrugës.
Frenimi ka bërë që makinat që vinin pas tij të përplaseshin me njëra-tjetrën. Sipas dëshmitarëve, në vendin ku ndodhi edhe aksidenti po punohet për zgjerimin e superstradës, ndërkohë që bie ndjeshëm në sy mungesa e sinjalistikës rrugore.
Sipas policisë së Krujës, aksidenti i ndodhur ka bërë që rruga të bllokohet për rreth një ore. Makinat e aksidentuara kanë qenë të mbushura me pjesëtarë të tre familjeve që lëviznin së bashku me fëmijët e tyre për në plazhin e Durrësit.