Ceka: Qeveria do të ndihmojë fermerët
Presidenti i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka, ka vijuar takimet e tij elektorale në Qarkun e Fierit. Ceka ka zhvilluar disa bashkëbisedime në komuna të ndryshme, duke ndarë problemet me fermerë të zonës. Kreu i PAD-së ka dëgjuar nga afër shqetësimet e këtyre fermerëve dhe ka kërkuar prej tyre që të ngrenë zërin për t‘i bërë ato publike, sepse më pas do të jetë qeveria ajo që do t‘ua zgjidhë. Ceka u ka kërkuar banorëve të Qarkut të Fierit që të rivotojnë qeverinë "Berisha", e cila në mandatin e saj të dytë do t‘u kushtojë një vëmendje të veçantë të gjithë fermerëve dhe bujqve për të shtuar e ndihmuar bizneset e tyre. Ndihma për biznesin e vogël, ka theksuar kreu i PAD-së, është ndër prioritetet e qeverisë "Berisha" dhe kjo ndihmë do të shihet që në muajt e parë të marrjes së mandatit të dytë qeverisës. Ceka ka kërkuar nga banorët e komunave të Qarkut Fier që të votojnë PAD-në në zgjedhjet e 28 qershorit, si një parti e cila do të jetë pranë halleve të tyre.