E Diel, 1 Nëntor 2026

Modeli, si do të votojnë shqiptarët në zgjedhje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të nisë sot procedurat për ndryshimin e fletës së votimit si pasojë e numrit të madh të partive që janë regjistruar për zgjedhjet e 28 qershorit. Në përfundim të procedurës dhe disponimin e listës përfundimtare të zgjedhësve për çdo njësi vendore, KQZ-ja, në bashkëpunim me kompaninë e përzgjedhur, do të nisë procesin e prodhimit të fletës së votimit. Pritet të shtypen plot 3 133 248 copë fletë votimi për këto zgjedhje, duke marrë parasysh jo vetëm numrin e saktë të zgjedhësve, por edhe 2% më shumë për çdo rast nevoje. Fleta e votimit përmban siglat dhe emrat e koalicioneve që garojnë në zgjedhje dhe partive që bëjnë pjesë. Pasi merr fletën e votimit, zgjedhësi hyn i vetëm në dhomën e fshehtë dhe në fletën e votimit shënon krah emrit të partisë "a" të koalicionit shenjën "x" ose "+", apo një shenjë tjetër që tregon qartë zgjedhjen e bërë prej tij. Votuesi ka mundësinë të zgjedhë një subjekt të shënuar në fletën e votimit. Vota e dhënë për këtë subjekt është automatikisht votë edhe për koalicionin ku bën pjesë ky subjekt politik. Zgjedhësi, pasi bën shënimin në fletën e votimit, palos fletën e votimit, në mënyrë që shenja të mos jetë e dukshme, por të paktën një nga vulat në pjesën e sipërme të fletës të jetë e dukshme. Pasi del nga dhoma e fshehtë, zgjedhësi e hedh fletën e votimit dhe largohet nga qendra e votimit. Fleta e votimit duhet të ketë ngjyrë dhe formë të njëjtë për të gjitha zonat zgjedhore. Gjithashtu, ajo duhet të jetë prej letre, me ngjyrë, trashësi dhe elemente konfigurimi të tilla që të mos lejojnë leximin e votës në pjesën e pasme të saj. Modeli i fletës së votimit u miratua sapo KQZ-ja nisi punën për përgatitjet e procesit zgjedhor të 28 qershorit për të mundësuar zhvillimin e tenderit për kompaninë që do t‘i prodhojë ato. Në modelin fillestar u parashikua se numri maksimal i partive që mund të regjistroheshin do të shkonte deri në 25. Pas regjistrimit u vu re se numri ishte më i lartë dhe kjo shtroi nevojën e bërjes së disa ndryshimeve, në mënyrë që të hapet vend për 36 partitë që garojnë në zgjedhje, nga të cilat 34 janë grupuar në koalicione.

Ekzistojnë dy propozime të modelit të fletës së votimit. Në modelin e parë është parashikuar që në krye të listës shënohet emri i koalicionit dhe pastaj vijnë me radhë emrat e partive që janë pjesë e tij. Modeli tjetër parashikon që emri i koalicionit shënohet në anë të fletës në të majtë të saj, paralel me anën tjetër të fletës ku është një kuti e vogël, në të cilin bëhet shënimi i zgjedhësit se për kë parti voton. Ndërsa partitë e koalicionit renditen në kuti, si në rastin e modelit të parë. Modelet janë vetëm propozime dhe mbeten për t‘u shqyrtuar sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Sakaq, pas kësaj procedure, pritet që KQZ-ja të shpallë publikisht kompaninë fituese që do të prodhojë fletët e votimit. Sipas burimeve nga KQZ-ja, është përzgjedhur nga tenderi kompania sllovene "Cetis", e cila ka prodhuar fletët e votimit në Shqipëri edhe në dy procese të tjera zgjedhore, në 2001-shin dhe në 2003-shin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›