E Shtunë, 31 Tetor 2026

Angazhimi i Metës: Arsim dhe punë për të rinjtë

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, zgjodhi dje një mënyrë origjinale për të prezantuar programin e partisë së tij për rininë shqiptare. Në kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë, gjatë kohës që po pritej finalja e Champions League, ai mblodhi të rinj kryeqytetas nën moton "politikë dhe sport". Aty ai shpalosi disa nga pikat kryesore të programit elektoral të LSI-së për rininë. Në fjalën e tij para të rinjve të LRI-së, kryetari i kësaj partie, Ilir Meta, u shpreh se arsimi i të rinjve dhe të rejave shqiptare do të jetë një ndër prioritet kryesore të kësaj force politike nëse vjen nesër në pushtet. Arsimi, nënvizoi Meta, do të jetë në funksion të punësimit të të rinjve, të cilët aktualisht, pasi mbarojnë studimet nuk gjejnë treg pune për të shpalosur dijet e tyre. Në prioritetet e LSI-së, theksoi ish-kryeministri, Meta do të jetë kultura dhe sporti. Më tej, kreu i kësaj force politike u shpreh se rinia e LSI-së nuk shërben vetëm për fasadë, por ajo do të përfaqësojë rininë në Parlament më 28 qershor. Gjithashtu, drejtuesi i partisë së dytë në opozitë konstatoi se LSI-ja është e gatshme të bashkëpunojë me çdo progresist për të bashkuar të majtën shqiptare dhe për të krijuar një të majtë të bashkuar qeverisëse. Kjo nuk është deklarata e parë që kreu i LSI-së bën duke pasur në thelb bashkimin e progresistëve të së majtës. Një qëndrim të tillë pozitiv për bashkimin e së majtës Meta e ka bërë edhe një ditë më parë, duke komentuar deklaratat e ish-kryetarit të Partisë Socialiste, Fatos Nano.

Duke vlerësuar figurën e ish-rivalit të tij, kryetari i LSI-së, Meta, u shpreh se ai është një faktor shumë i rëndësishëm në të majtën shqiptare, për shkak të një roli të rëndësishëm dhe historik që ai ka pasur. "Ai përfaqëson një figurë tepër komplekse dhe njëkohësisht besoj se është një figurë ende shumë përfaqësuese dhe në këtë drejtim është i domosdoshëm bashkëpunimi me të dhe një rol i tij më aktiv në drejtim të fitores së përbashkët të së majtës dhe opozitës në zgjedhjet e 28 qershorit", nënvizoi Meta.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›