Moisiu: Disa kandidatë kanë të shkuar problematike
Listat e kandidatëve për partitë politike lënë shumë për të dëshiruar nëse hyn dhe analizon CV-të e shumë prej tyre. Ish-presidenti Alfred Moisiu kritikoi partitë politike, të cilat publikuan listat e kandidatëve vetëm disa orë para se të mbyllej afati ligjor i regjistrimit të tyre. Sipas Moisiut partitë politike janë treguar të pabesa ndaj elektoratit të tyre, sepse koha që kanë në dispozicion për të njohur se çfarë përfaqësojnë këta individë është e shkurtër. "Këtë vonesë, unë do ta quaja pabesi të partive që i kanë bërë elektoratit, pasi njerëzit duan të njohin jo vetëm partitë por edhe kandidatët" është shprehur ish-presidenti Moisiu gjatë një deklarate për mediat. Ai u ka bërë thirrje edhe partive politike që të rishikojnë pastërtinë e figurave të kandidatëve të tyre për deputetë. Ish-kreu i shtetit nuk ka dashur të japë emra konkretë në lidhje me kandidatët të cilët kanë probleme me të shkuarën e tyre, por është shprehur se partitë duhet të pastrojnë listat nga individët që kanë probleme me drejtësinë, korrupsionin apo moralin. Sipas tij, rishikimi i listave që u bë ditë më parë solli një përmirësim prej 25 emrash, që sipas tij nuk i përmbushnin kriteret për të qenë në Parlament. Ai u ka bërë thirrje partive që të përmbushin standarde sa më të larta në përfaqësimin e Kuvendit, në të kundërt, partitë do të paguajnë kostot. Pak kohë më parë, edhe ZMQ-ja kërkoi nga partitë politike që të bëjnë publike CV-të e kandidatëve për deputetë, për të pasur mundësinë që shqiptarët t‘i njohin me mirë ata para se të votojnë.