E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një pedagog ekskluziv për dy universitete

Një pedagog, profesor me tituj dhe grada shkencore, edhe pse mund të ketë qenë i punësuar vetëm në shtet, pa dijeninë e tij mund të jetë përmendur si pjesë e stafeve akademike private.

Kjo ka ndodhur në kohën e procesit të licencimit të universiteteve private. Në atë kohë, universitetet i kanë kërkuar Ministrisë së Arsimit një material për sa u takon stafeve në universitet private, "rrjedhjen" e profesorëve nga publiku në privat. Pikërisht në këtë kohë ka rezultuar që një pjesë e mirë e universiteteve private të kenë shënuar pedagogë të brendshëm emra profesorësh, të cilët as nuk kanë qenë në dijeni që bënin pjesë në atë listë dhe kanë qenë krejtësisht të papërfshirë në dypunësim. "Emrat tanë figuronin kudo, ishim apo nuk ishim. Nuk dua të hamendësoj, por kjo ishte një katastrofë", sqaroi dekani i Fakultetit të Histori-Filologjisë, Shezai Rrokaj. Sipas tij, universitetet shtetërore dhe ato private janë plotësues të njëra-tjetrës, ato kanë në qendër dijet e studentit, por, nga ana tjetër, ka ardhur koha që të vendoset rregull.

"Mbingarkesa që kanë pedagogët dhe procesi i akreditimit janë pikat në të cilat u bazua vendimi i rektoratit. Programet e dyta dhe të treta të studimit krijojnë një mbingarkesë më të madhe në punë. Për këtë u vendos të mos lejohej punësimi i pedagogëve për këto dy cikle në privat. Për sa i takon Universitetit Europian të Tiranës, ata deklaruan se kanë stafet e tyre akademike dhe nuk kanë nevojë për profesorët e universitetit shtetëror", sqaroi Rrokaj. Sipas tij, profesorët kanë një pajtim punëdhënës-punëmarrës, marrëdhënia është e qartë, po ashtu edhe urdhri i rektoratit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›