E Diel, 1 Nëntor 2026

Vartesi i Karamanlisit viziton zonat e minoritetit, nuk perkrah zgjedhjen politike te Vangjel Dules

Zëvendësministri grek i Punëve të Jashtme, Teodor Kasimis ka kritikuar dje në Gjirokastër vendimin e Vangjel Dules për ta rreshtuar fraksionin politik që drejton me koalicionin e majtë, duke e quajtur një vendim që nuk përfaqëson vullnetin e votuesve të OMONIA-s në qarqet e Vlorës e të Gjirokastrës


Zëvendësministri i Jashtëm grek Theodhoros Kasimis, gjatë një vizite të kryer në rrethin e Gjirokastrës, ku ka marrë pjesë në ceremonitë e përurimit të një sërë veprash publike, të rikonstrukturuara me fondet të dhëna nga Ministria e Jashtme Greke, deklaroi se votuesit e PBDNJ-së do të shprehin vullnetin e tyre në zgjedhje se kë do të mbështesin, pas kalimit të PBDNJ-së, në koalicionin e majtë. Zv/ministri Kasimis shtoi se zgjedhjet e 28 qershorit janë çështje e brendshme e shtetit dhe popullit shqiptar. Duke komentuar vendimin e Partisë së Bashkimit të të Drejtave të Njeriut, për të hyrë në koalicion me Partinë Socialiste, çka solli reagim të ashpër dhe largimin e dy eksponentëve të rëndësishëm të kësaj force politike dhe organizatës OMONIA, zëvendësministri i Jashtëm grek ka vënë në pah faktin se vendimi do të merret nga komunitetit grek në jug të vendit. “Ne jemi të interesuar për unitet brenda minoritetit grek. Padyshim që Partia e Bashkimit Për të Drejtat e Njeriut është një parti politike e cila mund të bëjë zgjedhjet e zgjidhjet e veta, por se çfarë do zgjedhë minoriteti e vendosin anëtarët e tij. Ne do të mbështesim, si minoritetin, ashtu edhe zgjedhjet që do të bëjë ai”, është shprehur Kasimis me të mbërritur në Gjirokastër. Ai mbërriti dje paradite në Gjirokastër ku ka vizituar fshatrat e Dropullit të sipërm, Lunxhërisë si dhe Mesopotamin. Zëvendësministri i Jashtëm grek do të vijojë sot turin e vizitave në zonat minoritare në rrethin e Sarandës. Zv/ministri Kasimis iu përgjigj interesimit të medias e cila donte të dinte qëllimin e vizitës së tij në jug të Shqipërisë, duke thënë se, “Janë një sërë veprash publike, ura, rikonstruksion shkollash, ambjente lojrash për fëmijë, rrugësh dhe sheshe argëtuese të cilat janë pjesë e programit të investimeve të shtetit grek si ndihmë për vendin fqinj dhe sidomos të zonave ku jetojnë e banojnë minoriteti grek në Shqipëri. Do të doja të nënvizoi se vjet qeveria greke investoi për infrastrukturën rreth 48 milionë euro dhe në këto gjashtë vjet kemi investuar 210 milionë euro në total”. Zv/Ministri i Jashtëm iu përgjigj edhe interesimit të mediave mbi situatën zgjedhore në Shqipëri duke nënvizuar se “çfarë pret kushdo nga zgjedhjet kombëtare të një vendi? Të vazhdojë zhvillimin ekonomik, dhe sidomos për Shqipërinë kjo është e rëndësishme, dhe të vazhdojë rrugën drejt integrimit të vendit në Bashkimin Evropian”, përfundoi zv/ministri i Jashtëm grek Teodoros Kasimis.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›