E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turistët e dhëmbëve

Foto: E.Resuli

Entela Resuli

Zakonisht ne shqiptarët shkojmë jashtë të kurohemi për sëmundje dhe anomalitë e tjera në shëndet, por kur vjen puna për dhëmbët, ndodh e kundërta… Ata që janë jashtë, vijnë në Shqipëri. E bëjnë edhe të huajt kohët e fundit. Quhet turizëm dentar. Fluksi i emigrantëve që, kur vijnë në Shqipëri përveçse takojnë të afërmit apo bëjën disa ditë pushime, dynden edhe në klinikat dentare e ka një shpjegim. Të rregullosh dhëmbët në shumicën e vendeve të BE-së kushton sa frëngu pulën. Ky shërbim në Shqipëri duket se qëndron në nivele konkurruese, të paktën përsa i përket çmimeve.

Nga 20 në 150 euro

Shumica vjen nga Italia dhe Greqia. Anxhela Kalanxhi është nga Vlora dhe studion në Itali për Inxhinieri ndërtimi. Jo vetëm në Itali, po kudo në Europë një vizitë tek dentisti është me të vërtetë e kushtueshme. Ekziston një diferencë me Shqipërinë e atillë që nuk mund të mos e përfillësh. Nëse në Shqipëri një mbushje e thjeshte dhëmbi kushton rreth  20 euro, këtu në Itali varion nga 100 në 150 euro, – thotë Anxhela.

Në foto: Anxhela Kalanxhi

Ndryshim në cilësi?

Dentistët shqiptarë që pyetëm për këtë vëzhgim nuk mendojnë se ka ndryshime në cilësinë e materialeve, por çmimet e ulta shqiptare favorizohen nga mentaliteti jovlerësues për vetë dentistin dhe nga sistemi i taksave dhe sigurimeve. Kurse klientët, që i kanë provuar të dyja mënyrat pranojnë që ka një ndryshim në cilësi, por prapëseprapë janë të kënaqur.

Shiko, në Itali, shërbimi që të ofrohet është perfekt! Bëhet me të vërtetë një punë cilësore. Por dhe në Shqipëri çdo gjë duket se po ecën me hapa të mbara. Për pushimet e krishtlindjeve, bëra një vizite tek një klinike private në qytetin tim, dhe kam ngelur mjaft e kënaqur, – thotë Anxhela.

Në foto: Florian Xholi

Florian Xholi

dentist

 

Një klient amerikan më tha: Më keni kursyer 28 mijë dollarë

Në klinikën e Dr.Naimit ka vazhdimisht lëvizje. Familja Xholi është një familje dentistësh. Doktor Naimi, djali dhe vajza e tij punojnë bashkë. Për të folur me ne për klientët “që vijnë nga jashtë” shkëputëm nga puna Florianin, djalin e Dr.Naimit, 26-vjeç që ka përfunduar studimet për Stomatologji në Itali.

Flori, a vazhdojnë të vijnë shumë emigrantë për shërbime dentare në Tiranë?

Po, çdo vit e më shumë. Periudha më e ngarkuar është ajo e dhjetorit, si dhe periudha e verës, që për ne nis në fillimi të gushtit dhe vazhdon edhe gjatë shtatorit. Kjo kohë ka prurje të shumta pacientësh. Ne por edhe kolegët me të cilët flasim, na thonë që sapo afron gushti, kemi dyndje.

 

Nga cilat shtete ju vijnë më shumë pacientë?

Më shumë vijnë nga Italia dhe Greqia. Më pas kemi nga Amerika dhe Kanadaja. Amerika është shtuar shumë kohët e fundit, jo vetëm shqiptarë, por edhe të huaj, të cilët mësojnë nga miqtë e tyre shqiptarë për çmimet e ulta që ekzistojnë këtu, dhe vijnë. Në fakt, po ti krahasosh, shërbimet, sipas bisedave që bëjmë me vetë pacientët e huaj, kursimi është më i madh.

 

Sa mund të kursejë një i huaj që vjen dhe rregullon dhëmbët në Shqipëri?

Po, mund të kursejë dhe shumë madje, po ju tregojë vetëm një rast: Një shtetas amerikan erdhi verën kaluar dhe rregulloi gjithë gojën këtu tek ne. Gjithsej i shkoi 250 mijë lekë të reja. Në fund e dini çfarë më tha!? Me këtë punë që kam bërë këtu, kam kursyer 28 mijë dollarë. U habita, por është e vërtetë, andej kushton.

 

Po pse në Shqipëri është më lirë në këtë fushë?

E kam bërë shpesh këtyë bisedë me babin. Vjen pak deh nga kultura dentale, dmth lidhja e hershme e shoqërisë sonë me shërbimind dentar që ka qenë e pakët. Për shkak të kësaj, kryesisht ne shqiptarët vlerësojmë më pak punën e dentistit. Kurse, përsa i përket materialeve janë të njëjta, si për nga cilësia edhe për nga çmimi. Pra e thënë shkurt, këtu vlerësohet më pak dentisti, mendoj unë.

 

 

 

Në foto: Edlir Hoxhallari

Edlir Hoxhallari

student

 

Ka lirë, por ka edhe më lirë: Në Maqedoni bëra 7 dhëmbë për 100 euro

 

Edliri është një student korçar që ka gjetur një zgjidhje më të lirë se sa Shqipëria. E kush do të thoni ju? Ja pra që paska. Maqedonia të habit! Shtatë dhëmbë 100 euro. Korçarët apo pogradecarët i kanë këto vende vetëm 2 orë larg dhe nuk ngurojnë që shërbimet për dhëmbet t’i kryejnë atje. Ne kemi folur me Edlirin dhe na treguar se ka lirë, por ka edhe më lirë

Edlir, kur vjen në Shqipëri, ku i rregullon dhëmbët?

Kur erdha në Shqipëri këtë herë prindërit më sugjeruan një klinikë dentare në Maqedoni që është 2 orë larg nga Korça. Kontaktova në telefon me ta dhe shkova. Ishin dy dentistë shqiptarë kishin edhe laborator. Aty mësova se kishin filluar të shkonin shumë korçarë andej për këtë punë.

Si ishin çmimet atje?

Unë pagova 100 euro për shtatë dhëmbë. Ky çmim është më shumë se mirë. Kam bërë edhe në Korçë, por më ka kushtuar vetëm një mbushje 2 mijë e 500 lekë.  Këtë punë nuk ma bënte asnjeri në qytetin tim, por besoj as në Tiranë. Në Itali ku jetoj unë, kushtojnë shumë, 70-80 euro për mbushjet e vogla. Kjo është minimalja, pastaj varet edhe nga dentisti.

Flitet për klinika të mira, apo zgëqe?

Ambienti i punës ishte shumë i pastër dhe më bëri përshtypje sjellja e tyre. Komunikim me edukatë që nuk e gjen kollaj këtej nga ne. Në çdo hap të punës më bënin fotografi të dhëmbit që punonin, të më tregonin cfarë po bënin dhe si po ecte. Domethënë ishin shumë bashkëpunues. Jam i kënaqur, nëse doni të dini këtë gjë.

&n

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›