E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhjetë vjet luftë për depozitat e karburanteve

Vendimet dhe sfida

Më 17 nëntor të vitit 1999, në shkresën nr.838, Autoriteti Portual i Durrësit kërkonte pezullimin e punimeve nga firmat e karburanteve dhe në vjeshtën e një viti më pas, qeveria me një vendim të formës së prerë urdhëron ndërprerjen e investimeve në tankerat e karburanteve dhe heqjen e tyre përfundimtare nga Porti i Durrësit. Në vitin 2000, Banka Botërore akordoi një fond prej 150 mijë dollarësh për studimin e zhvendosjes së tankerave jashtë territorit portual dhe pontili i Porto Romanos është realizuar, por jo zhvendosja nga Porti i Durrësit. Kanë kaluar vite dhe kompanitë e karburanteve vazhdojnë të qëndrojnë aty, stoike, duke ushtruar normalisht aktivitetin e tyre dhe duke zgjeruar kapacitetin përpunues dhe magazinues të karburanteve në port, ndërsa mbajnë të zaptuar një sipërfaqe prej më shumë se 60 mijë metrash katrorë.

Në korrikun e vitit 2007 del një VKM që urdhëron ndërprerjen e përpunimit të anijeve me karburant e gaz në Portin e Durrësit, vendim që hyn në fuqi në mes të gushtit, pas botimit në Fletoren Zyrtare, duke u lënë kompanive një afat 18-mujor. Vendimi vazhdon të mos zbatohet, ndonëse mbrëmjen e së hënës firma “Kastrati” nisi heqjen e tankerave të saj. Shumë e shumë të tjerë vazhdojnë të jenë aty, ndërsa porti i karburanteve në Porto Romano të Durrësit prej shumë muajsh është në funksionim të plotë. Kompanitë që operojnë nga ky port i ri i specializuar për karburante, jo pak herë kanë reaguar për përparësitë që u ofrohen kompanive të instaluara me depozita në Portin e Durrësit, për të siguruar shpejt tregun dhe shmangur kostot dhe investimet.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›