E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, nis largimi i depozitave nga porti

Një kompani shqiptare po lëviz, por nuk ka konfirmim nëse do të ndiqet edhe nga greket

Një nga kompanitë e karburanteve që veprojnë në Portin detar të Durrësit ka nisur heqjen e depozitave të shumëpërfolura. Prej më shumë se një dekade, depozitat dhe kompanitë e karburanteve kanë sfiduar alarmin e dhënë nga specialistët, kanë sfiduar deklarime të krerëve të ndryshëm të ekzekutivit shqiptar dhe së fundmi dhe një vendim qeverie që ndalon përpunimin e anijeve me gaz e karburant në këtë port. A është heqja e saponisur, një sinjal se më në fund vendimi i Këshillit të Ministrave “Për ndërprerjen e veprimtarisë së përpunimit të anijeve që transportojnë naftë, gaz dhe nënprodukte të tyre në Portin e Durrësit dhe Shëngjinit” ka nisur të marrë jetë, me gjithë afatin e zhvlerësuar prej afro një viti? Në Portin detar të Durrësit nuk mund të marrësh asnjë informacion për këtë, pasi kompanitë greke dhe shqiptare kanë një kontratë të lidhur me Ministrinë e Ekonomisë dhe territori i tyre është i kufizuar edhe për drejtuesit portualë. Drejtori ekzekutiv i APD-së, i pyetur nga “Shqip”, deklaron se nuk ishte në dijeni të lëvizjes së tyre dhe pas marrjes së informacionit bën me dije se është kompania shqiptare “Kastrati” ajo që ka hequr depozitat e saj. Por asgjë më shumë nëse ky është një proces që do të vazhdojë dhe nga kompanitë e tjera që kanë depozita në këtë pjesë të portit që nuk administrohet prej APD-së, për shkak të kontratave të nënshkruara me kompanitë greke dhe shqiptare nga Ministria e Ekonomisë. “Me largimin e depozitave të karburanteve, APD merr në pronësi të gjithë territorin portual në bazë të ligjit”, thotë drejtori Eduard Ndreu. Largimi i tyre prej vitesh ka qenë çështje kohe, e shtyrë pafundësisht në kohë. Zyrtarisht është deklaruar se prishja e njëanshme e kontratave do të kishte një kosto të lartë për shtetin shqiptar, ndërsa ndikimi i qeverisë greke dhe paralajmërimet e hapura të bëra në Portin e Durrësit nga përfaqësuesit e shtetit fqinj në lidhje me këtë kanë pasur ndikimin e tyre. Tentativës për të mësuar më shumë nga vetë përfaqësuesit e kompanive në port, iu përgjigjën dyert e mbyllura dhe moskthimi qoftë dhe i një përgjigjeje negative për të komunikuar. Të hysh brenda territorit lindor të Portit të Durrësit, ku janë instaluar tankerat me karburant, është e pamundur. Marrja e informacionit gjithnjë ka qenë e pamundur. Ekspertët e kompanisë amerikane, “Wilbur Smith Associates”, në raportin e bërë në fund të vitit 2001 theksonin se ekzistojnë rreziqe reale nga prania e depozitave dhe me pasoja për portin dhe komunitetin që banon përreth tij. Në kuadrin e zgjerimit portual dhe afrisë me ndërtimet përgjatë rrugës, situata paraqet një rrezikshmëri të lartë. Pavarësisht kësaj, qeveritë shqiptare kanë qëndruar apatike në ndërmarrjen e veprimeve konkrete për zhvendosjen e tyre në drejtim të portit të karburanteve në Porto Romano të Durrësit.
Tankerat e shumtë me naftë e nënproduktet e saj janë konsideruar vazhdimisht si një minë gjigande me sahat në Durrës. Shumica e depozitave të instaluara në port u përkasin kompanive greke “Global Petrolium”, “Evroil” dhe “Mamidoil”. Me kalimin e viteve, numri i tyre është shtuar. Në këtë territor kanë depozitat e tyre dhe kompanitë shqiptare “Kastrati” dhe “Armo”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›