E Hënë, 2 Nëntor 2026

Turizmi, akuza të ndërsjella midis pushtetit qendror e drejtuesve lokalë

28/04/2005  Prefektura takim me aktorët e zhvillimit të turizmit

DURRËS – Pragsezoni i turizmit ka rritur interesimin, ndërsa edhe ka shtuar përplasjet midis drejtuesve lokalë dhe përfaqësuesve të qeverisë në prefekturë. Ndërsa prefektja e Durrësit ka adresuar kritikat e saj ndaj të zgjedhurve vendorë, për sa i përket gjendjes së pamjaftueshme të infrastrukturës, nga ana e tyre të zgjedhurit lokalë kanë reaguar, duke akuzuar qeverinë për mungesë fondesh dhe lënie në harresë të tyre.

Takimi

Organi këshillues i prefekturës së Durrësit ka organizuar dje një takim pune me të gjitha aktorët që do të përballojnë sezonin turistik të verës. Synimi i këtij takimi me pjesëmarrje të drejtuesve kryesorë të bashkive e komunave, institucioneve që do të kujdesen për rendin, furnizimin me ujë të pijshëm e energji elektrike, Dhomën e Tregtisë e Indistrisë, organin shtetëror të tatimeve e taksave si dhe shoqatat e ndryshme, ka qenë njohja e realitetit si dhe masat për të përballuar pushuesit vendës e të huaj me fillimin e sezonit të ri.

Prefektja e Durrësit e cilësoi sezonin turistik si çështje që i përket të gjithë bashkësisë durraske, ndërsa vuri në dukje se është punuar në drejtim të zgjerimit e harmonizimit të turizmit historik, kulturorë dhe atij të gjelbër. Ndërsa ka vlerësuar projektet dhe strategjinë që është zbatuar nga pushteti vendor dhe operatorët turistik, prefektja Shuli i ka rënë ndesh raportimeve të bëra, duke thënë se në shumë deklarime vërehet tendenca e mbulimit të realitetit.

Në këtë frymë, përfaqësues të qeverisë në prefekturë bënë të ditur në këtë takim se është përmirësuar në mënyrë të dukshme gjithë infrastrukturën e nevojshme dhe se këtë vit fondet e financuara i kanë dhënë bregdetit të Durrësit dhe zonave ku shtrihen plazhet pamje shumë më të favorshme për një sezon shumë më cilësor se vitin e kaluar.

Në takim u vërejt se investimet kryesore janë përqëndruar në zonën e Plazhit, por jo pak fonde janë bërë efektive edhe në bregdetin e Ishmit, Katundi Rinia etj.

Kritikat

“Pushteti vendor nuk ka struktura specifike dhe nuk e kontrollon e as nuk e menaxhon si duhet sektorin e turizmit”, është shprehur prefektja e Durrësit, Ingrit Shuli, në takimin e organizuar. Ekspertët e prefekturës kanë vërejtur se evazioni fiskal është shumë i lartë dhe se vendorët nuk kanë regjistra të plotë e të saktë për numrin e hoteleve, të cilët krahas shërbimit jo të kualifikuar në të shumtën e tyre nuk janë të licensuar. Mungesa e qendrave të informimit për turistë e udhëtarë është kualifikuar si problematike, ndërsa është deklaruar se mungesa e studimeve të plota urbanistike për zonat turistike do të vazhdojë të mbajë në gjendje kaotike rregullimin e infrastrukturës.

Prefektja Shuli ka kritikuar përqëndrimin e investimeve në zona e hapësira të ngushta, duke shkaktuar, sipas saj, “pasoja në përzierjen e zonave turistike me ato urbane”.

Infrastruktura rrugore ka zënë një pjesë të kritikave të ashpra të prefektes. Prefektja Shuli veçoi si të papranushme gjendjen e rrugës për në Gjirin e Lalzit, Draçit, Katundit Rinia dhe rrugën që lidh Vorën me Fushë Krujën dhe këtë të fundit me zonën bregdetare të Ishmit.

Të njëjta kritika ka lëshuar edhe për mungesën e investimeve në sistemin e kanalizimeve të ujërave të bardha e të zeza në pjesën më të madhe të zonës që do të presë pushuesit vendës dhe turistët e huaj, ndërsa ka thënë se në shumë zona nuk ekziston fare sistemi i ujit të pijshëm. Reagojnë drejtuesit e Bashkisë

“Qeveria asnjë fjalë për Krujën në strategjinë e turizmit”

DURRËS – I menjëhershëm ka qenë reagimi i drejtuesve të pushtetit lokal të Krujës, të cilët kanë akuzuar qeverinë.

“Qeveria ka lënë jashtë vëmendjes deri në harresë qytetin turistik të Krujës”, ka qenë deklarimi i bërë dje nga përgjegjësi i kulturës në bashkinë e Krujës, Hamdi Meçe.

Në fjalën e tij, ai ka thënë se “kryeqendra e shtetit të parë feudal shqiptar nuk është përfshirë në asnjë rresht në strategjinë e turzimit nga Ministria e Turizmit, ndërsa Kruja vazhdon të mos jetë e përfshirë në statusin e veçantë si qytet historik”.

Një veprim i tillë, që ka habitur të pranishmit në takim, është cilësuar i pafalshëm dhe keqdashës nga Meçe.

Ai ka pohuar më tej se “vitin e kaluar Kruja është vizituar nga afro 60 mijë vizitorë, ndërsa ka kujtuar për tryezën se për të gjithë personalitetet e huaja që takojnë krerët e qeverisë dhe shtetit në Tiranë, Kruja ka qenë dhe mbetet stacioni i parë i

vizitës”.

Ai ka kërkuar që të mos abuzohet me termin turizëm dhe kritika e tij është përqëndruar edhe në harresën e treguar nga qeveria në drejtim të investimeve.

“Investimet shtetërore në Krujë kanë qenë mospërfillëse”, tha Meçe, i cili ka rikujtuar potencialet dhe resurset e rralla e të jashtëzakonshme që afron kryeqendra e shtetit të parë shqiptar me emrin “Principata e Arbërit”. Të vetmet investime të bëra në Krujë kanë qenë investimet në infrastrukturë me fondet e pakta nga të ardhurat lokale të vjela, por që kanë qenë fare të pamjaftueshme për një qytet të vizitueshëm në të gjitha stinët e vitit.

Përfaqësuesi i Krujës u shpreh se bashkia ka marrë të gjitha masat e mundshme për të afruar turizmin historik, duke deklaruar edhe programet që do të realizohen në kuadër të sezonit turistik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›