E Diel, 1 Nëntor 2026

Hija e Sirisë

28/04/2005  Damasku largon trupat ushtarake nga Libani. Por fantazmat vijnë vërdallë

Trashëgimia siriane mund të jetë më shumë psikologjike. Siç ndodh me të gjithë grupet e fshehtë, misteri mund të jetë ndonjëherë arma më e fuqishme. Pas katër shpërthimeve të bombave në lagje siriane kohët e fundit, libanezët nxituan të thonë se kjo ishte vepër e spiunëve sirianë. Por askush nuk e di me siguri

Megjithatë, teksa tanket sirianë e kanë lënë tashmë pas kufirin, influenca e drejtpërdrejtë e Damaskut mbi Libanin po zbehet. Ndërkohë që ndoh kjo, disa tremben se mos liderët sirianë do të përpiqen të afrohen me grupe të armatosur si Hezbollah, që këta të shërbejnë si përfaqësues

Për dhjetë vjet me radhë, fqinjët e katit të poshtëm të Mahasen Fadulit ishin spiunë sirianë. Fqinjët u vendosën aty pasi ajo dhe familja e saj u largua nga Hamana, një fshat në lindje të Beirutit, gjatë luftës civile lebaneze në vitet tetëdhjetë. Kur u rikthye, në vitin 1995, ata ishin aty – të zhurmshëm dhe vulgarë, duke luajtur me letra dhe futboll në çdo orë të ditës. Natën, Fadul, tani 67 vjeçe, dëgjonte ndonjëherë fshikullimën e një kamzhiku apo ulërimat e një të burgosuri, në dhomat poshtë. “U përpoqëm të mbyllim veshët dhe sytë”, kujton ajo. Muajin e kaluar, pas trazirave që pasuan vrasjen e ish-kryeministrit Rafik Hariri, sirianët mblodhën plaçkat dhe u larguan menjëherë. “Ndihem shumë e lumtur”, thotë tani Fadul, me një buzëqeshje nervoze. “E rëndësishme është që ata kanë ikur. Më së fundi, ata u larguan nga Libani”.

Kanë ikur vërtet? Pas vrasjes së Haririt, në shkurt, në rrugët e Beirutit shpërthyen protestat e opozitës, dhe Bashar al Asad u zotua të tërheqë të gjithë ushtarët sirianë, gjë që përfundoi dy ditë më parë. Në fillim të këtij muaji, i dërguari i SHBA, Roed Larsen, vizitoi zyrat qendrore të policisë së fshehtë, duke deklaruar triumfalisht se kishte “konfirmuar personalisht” largimin e spiunëve. Megjithatë, shkëputja e plotë e Libanit nga Siria do të kërkojë më shumë sesa thjesht protesta dhe konferenca. Ndonëse trupat siriane janë tërhequr tashmë, disa operativë të zbulimit thjesht janë “zhvendosur”, thotë një diplomat perëndimor. “Ne shohim shenja të pranisë dhe aktivitetit të trye, gjë që është shqetësuese”.

Dekani i agjentëve të fshehtë sirianë është Gjeneral Brigade Rustom Gazaleh, shefi i shërbimit të fshehtë të ushtrisë, që ka qenë dy vitet e fundit konsull i Sirisë në Liban. Në fillim të këtij muaji, ai zhvilloi atë që eksponentë të opozitës e quajtën “udhëtimi i lamtumirës”. Gjenerali u buzëqeshi vesh më vesh fotografëve, teksa takonte Presidentin prosirian të Libanit, Emil Lahud, si dhe pranoi një M-16 izraelit, si dhuratë nga Hasan Nasrallah, lideri i grupit terrorist Hezbollah. Megjithatë, jo të gjithë ndalesat e tij ishin lamtumira zyrtare. Një natë vonë, Gazaleh ndaloi në zyrat e një televizioni lokal, Nju TV, me një Mercedez të zi, sipas punonjësve të stacionit televiziv, që kishte bërë kohët e fundit zbulime në lidhje me financat e Gazaleh. Ndërkohë që një prej badigardëve tundte në ajër një kallashnikov, Gazaleh betohej se do të vriste pronarin. Përpara se të largohej, gjenerali kishte kërcënuar gjithashtu se pas kësaj do të vriste veten.

Edhe tani që Gazaleh dhe të tijtë janë tërhequr, Siria do të vazdhojë të ushtrojë ndikim në Liban, përmes një rrjeti lidhjesh ushtarake dhe politike. Presidenti aktual, Lahud, shihet si një majë e heshtës së Sirisë. Udhëheqësit e opozitës kanë kërkuar dorëheqjen e një numri eksponentësh të tjerë që mbështeten nga Siria (të cilët, në mënyrë melodramatike janë pagëzuar “shtatë kalorësit e apokalipsit”), por deri tani askush nuk e ka bërë. Ushtria e Libanit vazhdon të varet fuqimisht nga Siria për pjesët e këmbimit dhe trajnimet; tre të katërtat e të gjithë tankeve libanezë dhe artilerisë së rëndë janë prodhim sirian. “Marrëdhënia është e thellë”, thotë Gjenerali Elias Ferhat, një ushtarak libanez. Ndërkohë që antagonistin kryesor, Izraelin, e kemi m’u në kufi, “nuk kemi zgjedhje tjetër”, thotë Ferhat.

Megjithatë, teksa tanket sirianë e kanë lënë tashmë pas kufirin, influenca e drejtpërdrejtë e Damaskut mbi Libanin po zbehet. Ndërkohë që ndoh kjo, disa tremben se mos liderët sirianë do të përpiqen të afrohen me grupe të armatosur si Hezbollah, që këta të shërbejnë si përfaqësues. Por marrëdhënia ndërmjet grupit guerilas libanez dhe regjimit sirian ka qenë historikisht e ngurtë. Militantët e Hezbollahut nuk janë koordinuar kurrë mirë me agjentët e shërbimit të fshehtë sirian. “Çfarë të mire do t’i sillte Hezbollahut strehimi i këtyre agjentëve të fshehtë”, pyet Amal Gurajeb, një ekspert për Hezbollahun në Universitetin amerikano-libanez në Beirut.

Trashëgimia siriane mund të jetë më shumë psikologjike. Siç ndodh me të gjithë grupet e fshehtë, misteri mund të jetë ndonjëherë arma më e fuqishme. Pas katër shpërthimeve të bombave në lagje siriane kohët e fundit, libanezët nxituan të thonë se kjo ishte vepër e spiunëve sirianë. Por askush nuk e di me siguri. Sa për Mahasen Fadul, ajo nganjëherë rri e shtrirë në shtrat, me shqetësimin se mos i kthehen fqinjët e dikurshëm. “Edhe pse njerëzit thonë që është e pamundur, nganjëherë trembem se mos ata rikthehen”, thotë ajo, duke hedhur sytë nga apartamentet e braktisur prej sirianëve. Ndoshta me kalimin e kohës, frika e saj do të zhduket, qoftë edhe fantazmë pas fantazme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›