E Shtunë, 31 Tetor 2026

SuperKimi, leksion pretendentëve

Kimi Raikonen u ka treguar të gjithëve se dështimi në garën e parë të sezonit ishte thjesht një rastësi dhe se këtë sezon dëshiron të rifitojë titullin kampion. Finlandezi i Ferrarit ka fituar pa shumë vështirësish garën e Malajzisë në pistën e Sepang, falë një strategjie perfekte dhe një makine po aq të mirë. Kampioni i botës në fuqi u ka kujtuar të gjithëve se di të garojë ashtu si paraardhësi i tij, Mihael Shumaher, duke gjetur kohën e duhur për të marrë vendin e parë dhe duke u shkëputur menjëherë, për të mos u dhënë asnjë shans ndjekësve. I vetmi që mund të arrinte të mbante hapin e tij ishte shoku i skuadrës, Felipe Masa, por braziliani ka treguar se po përjeton një fillim sezoni shumë të dobët, duke u larguar nga gara në xhiron e 30-të, ndërsa po përpiqej që t‘i afrohej Raikonenit, i cili i kishte rrëmbyer vendin e parë gjatë rifurnizimit në bokse. Ky gabim mund t‘i kushtojë rëndë pilotit brazilian, i cili kërkonte të luftonte për titullin kampion, por që shumë shpejt mund të kthehet përsëri në rolin e asistentit të Raikonen, ashtu siç bëri në garat e fundit të sezonit të kaluar. Në vendin e dytë, me rreth 20 sekonda diferencë, është renditur polaku Robert Kubika, i cili ka marrë maksimumin nga BMV-Sauber, që konfirmohet përsëri si forcë e tretë e kampionatit dhe shqetësuese e vetme e dyshes Ferrari-MekLaren që luftojnë për titullin. Në shkallën më të ulët të podiumit është ngjitur Haiki Kovalainen me MekLaren, i cili ka zhvilluar një garë të qetë, duke preferuar të presë gabimet e kundërshtarëve për të marrë pikë të rëndësishme për klasifikimin. Vendi i katërt i ka shkuar italianit Jarno Truli, i cili ka zhvilluar një garë në mbrojtje, por duke arritur që në fund të mbajë pas një prej pretendentëve për fitoren e titullit, britanikun Luis Hemilton. Piloti i MekLaren ka qenë shumë larg rivalëve të Ferrarit, pasi gjatë pjesës së parë të garës humbte thuajse dy sekonda në çdo xhiro. Sikur të mos mjaftonte kjo, në rifurnizim, një prej mekanikëve gabon në ndërrimin e gomës duke e vonuar Hemilton dhe duke e bërë të humbte shumë pozicione. Në vendin e gjashtë ka përfunduar Nik Haidfeld me BMV-Sauberin tjetër, i ndjekur nga Mark Veber me Red Bull dhe Alonso me Reno. Ish-kampioni ka pasur shumë vështirësi gjatë të gjithë garës dhe pika e fituar është dukur si një sukses i jashtëzakonshëm i skuderisë franceze, që mbetet shumë larg skuadrave që pretendojnë një vend në podium.

SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›