Turizmi si “ilaç” antikrizë
Një aktivitet i veçantë për nga natyra e tij u zhvillua ditët e fundit në Korçë. Një konferencë për turizmin vendor. Shumëkush mund të pyesë: “ǒpunë ka turizmi në mes të dhjetorit dhe për më tepër, në Korçë?!” Ndoshta pak vetë e dinë se Korça si rajon thith me dhjetëra mijëra turistë të huaj në vit, që vijnë nga Greqia, Maqedonia, por dhe nga Kroacia dhe Mali i Zi. Ajo që kjo krahinë e begatë ofron, është turizmi i muzeve, i kishave, turizmi me bazë natyrën e virgjër, ai i kuzhinës (pjatat tradicionale me famë korçare), i liqeneve e me radhë. Korça, po ashtu, ka ambicie të shndërrohet në një qytet të festivaleve. Ka një bazë të admirueshme (traditën e Karnavaleve të Korçës) dhe një identitet të sajin (pazarin e vjetër karakteristik). Ministri i Turizmit dhe stafi i tij janë treguar të shkathët dhe kanë marrë nga Komisioni Evropian (lobimi pranë Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë) rreth 10 milionë euro në projekte për rigjallërimin e qendrave historike shqiptare, duke i garantuar Korçës 1.8 milionë euro nga paratë e BE-së. Po ministri Pango ka qenë në zanafillën e kësaj konference, duke aplikuar me sukses, së bashku me Këshillin e Qarkut Korçë dhe me këshilltarët e Organizatës Holandeze për Zhvillim (SNV) për një projekt me vlerë 300 mijë dollarë për rajonin e Korçës. Është një projekt për familjet korçare me të ardhura të pakta, duke synuar gjallërimin e ofertës turistike të tyre: drekat në natyrë në oborret korçare, artizanati, muzetë dhe punët e dorës që do të paraqiten përbri mjediseve muzeale. Janë përfshirë operatorët turistikë (mbi 35 në Tiranë, Korçë etj.) që sjellin turistë të huaj në vend, shoqata e udhërrëfyesve turistikë e shumë veprimtarë të tjerë. Shpresohet që në përfundim të këtij projekti, në vitin 2010, mbi 12 mijë familje me të ardhura të pakta të jenë futur në skemë dhe të përfitojnë nga rritja e ofertës turistike korçare, si dhe menaxhimi më i mirë i tërheqjeve turistike. Por konferenca e Korçës nuk ishte e veçantë vetëm pse u drejtohej nikoqireve të këtij rajoni. Mundësia për të zbatuar të njëjtin projekt në rajone të tjera të vendit është e madhe. Të interesuar për këtë përafrim janë qarqet e Elbasanit, Fierit, Durrësit dhe Shkodrës. Krijohet kështu një rrjet me veprimtarë të pushteteve vendore, me përfaqësues të bizneseve vendore turistike dhe të OJF-ve, i cili një të nesërme mund të thithë fondet strukturore të Bashkimit Evropian për zhvillimin rajonal dhe rural. Përgatitet kësisoj infrastruktura ë zbatimit të projekt-ideve, që aq shumë ka munguar këto vitet e fundit në vende si Bullgaria e Rumania, të cilat po ashtu kanë humbur me miliarda euro fonde strukturore të BE-së gjatë periudhës 2004-2006. Turizmi, edhe pse disi i mpakur si ofertë dhe interes nga kriza financiare e përbotshme, do të vijojë të ngelet kali ynë fitues. Nëse ndërtimi do të rritet me 2.4 për qind për vitin 2009, turizmi parashikohet të paktën 9.6 për qind! Dhe ka ardhur koha që turizmi të mos konsiderohet vetëm oferta e detit, rërës dhe diellit në zonat tona bregdetare. Nëse në Theth erdhën rreth 4 mijë çekë këtë vit, Gjirokastrën dhe muzetë e Korçës i kanë parë mbi 2 mijë e pesëqind polakë. Mbi tridhjetë agjenci polake turesh turistike vizituan vendin tonë këtë nëntor dhe u takuan me simotrat e tyre shqiptare. Viti 2009 parashikon të paktën një trefishim të numrit të vizitorëve polakë. Korça ka dhe një tërheqje tjetër: diasporën. Këshilltarët e huaj të projektit të saj udhëtuan në të njëjtin avion me aktorin e mirënjohur shqiptaro-amerikan Xhejms Belushi, që po vinte në Shqipëri të shikonte fshatin e lindjes së babait të tij. Belushi u tha se herës tjetër do të merrte të birin e tij në një vizitë dy herë më të gjatë në atdhe. Po ashtu, në Boston, disa agjenci turistike ishin interesuar për të dërguar grupe shqiptaro-amerikanësh në Shqipëri. Projekti do të shikojë edhe këtë mundësi të ardhurash që mund të vijnë nga përtej oqeanit. Përfaqësuesit e qarkut Korçë u takuan me Shoqatën e Tregtisë Amerikano-Shqiptare në Tiranë dhe drejtuesit e saj po shikojnë mundësinë të kontaktojnë drejtpërsëdrejti agjencitë turistike në Boston për të parë gjasat e përgatitjes së tureve nga SHBA-ja drejtpërsëdrejti për në Shqipëri, me destinacion kryesor Korçën dhe rajonin e saj.
Fatos Çoçoli
Fatos Çoçoli