E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurorja dhe i shoqi dëshmojnë, pse u shoqëruan në polici nga Krenar Ahmetit

Prokurorja e Krimeve të Rënda dhe bashkëshorti i saj avokat janë përballur dje në Gjykatën e Tiranës me shefin e komisariatit të Qarkullimit Rrugor, Krenar Ahmetin. Për gati 50 minuta, prokurorja ka treguar versionin e saj të ngjarjeve duke bërë me faj Ahmetin që e kishte ndaluar atë dhe të shoqin. Nga ana tjetër shefi i Komisariatit të Policisë Rrugore, ka dhënë më parë në një intervistë për “standard” një version krejt tjetër të ngjarjeve, i cili po ashtu është i dokumentuar edhe nga punonjësit e policisë që e shoqëronin atë.

Prokurorja Elisabeta Bajri (Ymeri) së bashku me bashkëshortin e saj Agron Bajri kanë rrëfyer atë që sipas tyre ka qenë dhuna me të cilën janë shoqëruar në komisariat, dhe mënyrën sesi u është drejtuar shefi i Qarkullimit, personat që janë vënë në dijeni për këtë shoqërim dhe sjellje, si dhe të tjerë elementë të asaj ngjarje. Gjatë dëshmisë së dhënë para gjyqtarit Martin Deda, i pranishëm në seancë ka qenë edhe vetë Ahmeti. Ky i fundit në versionin e dhënë për mediat ka treguar një histori tjetër. Sipas shefi të rrugores policia nuk ka tentuar të shoqërojë prokuroren, por të shoqin që fyeu dhe kundërshtoi policinë.

Dje e para ka dëshmuar prokurorja, e cila ka filluar dëshminë e saj për mbrëmjen e 17 majit të këtij viti se ka qenë bashkë me vëllanë e saj duke shpënë nënën në spital. “Përpara dy kullave na ka ndaluar një makinë e Patrullave të Përgjithshme. Fillimisht na ka kërkuar dokumentet, ndërsa më pas i janë drejtuar vëllait tim duke i thënë se kishte pirë alkool dhe duhet t’i frynte në fytyrë. Ndërsa vëllai i fryu dhe ishim në pritje, polici bënte muhabet me shoferë të tjerë. Kam dalë nga makina dhe i kam thënë se kush isha dhe se e kishim me të shpejtë për në spital. Por ai më ofendoi”, - deklaroi prokurorja. Sipas saj, më pas efektivi i Patrullave të Përgjithshme kishte kontaktuar në radio me 004. Sipas Bajrit, pasi ishin larguar në afërsi të Presidencës, kishte kaluar rastësisht shefi i Qarkullimit Rrugor që kjo e fundit nuk e njihte, por vëllai i saj i kishte thënë se 004 ishte pikërisht shefi i tyre. Pasi kishin ndaluar, mësohet se prokurorja i kishte shkuar te makina dhe i kishte thënë këtij të fundit se një efektiv i tij e kishte ofenduar duke i treguar dhe ngjarjen. Më pas ajo ishte larguar. Pas 4 orësh, sipas Bajrit, ajo kishte shkuar të takonte burrin e saj, kur në afërsi të Zogut të Zi i kishte ndaluar një makinë e patrullave, në të cilën ishte edhe vetë Ahmeti. Sipas prokurores, ai i kishte kërkuar bashkëshortit të saj të frynte në tub, pasi ishte i alkoolizuar dhe i kishte kërkuar që të merrte makinën. Sipas prokurores, ajo i kishte thënë që ishte prokurore dhe se kishte dokumentet e saj në makinë, deri te pistoleta. “Kam marrë në telefon edhe zëvendësprokurorin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Kosta Belurin, por Krenari nuk donte t’ia dinte, madje ma hodhi përtokë telefonin. Në makinë kisha të gjitha dosjet e mia se atë ditë kam qenë prokurore e gatshme, kam pasur kuti tualeti e deri te pistoleta, prandaj çelësat nuk mund t’ua jepja”, - ka vazhduar Bajri. Sipas saj, i kishin marrë me makinë, ku bashkëshortit të saj i kanë vënë dhe prangat dhe më pas i kanë shpurë për në komisariatin numër 2, ku i kanë mbajtur rreth dy orë. “Para se t’i vinin prangat burrit tim, shefi i Qarkullimit i foli turqisht njërit prej vartësve”, - u shpreh prokurorja. Më pas, ajo deklaroi se Ahmeti, kur i kishte ndaluar, kishte qenë pa uniformë dhe kur kishte dalë te komisariati kishte veshur uniformën. Pas deklarimit të prokurores, ka qenë bashkëshorti i saj i cili ka rindërtuar sërish ngjarjen përpara gjykatës. Vetë shefi i Qarkullimit Rrugor nuk ka reaguar gjatë dy deklarimeve të dy denoncuesve të tij. Së bashku me shefin e Qarkullimit Rrugor, të pandehur në këtë proces janë dhe dy efektivat, Alfons Gjoni dhe Blenard Vathi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›