Gjykata e Lartë ; Shtyhet për sot shorti për dosjen “Durrës-Kukës”
Gjykata e Lartë shtyn për sot hedhjen e shortit elektronik për caktimin e gjyqtarëve që do të gjykojnë dosjen “Durrës-Kukës”. Një fakt i tillë është konfirmuar nga burime zyrtare pranë kësaj gjykate, të cilat nuk sqarojnë arsyen pse kjo dosje nuk i është nënshtruar hedhjes së shortit, por vetëm konfirmojnë se sot do të hidhet në short. Dosja ka mbërritur për gjykim të premten e kaluar, për shkak të funksionit që ka njëri nga të pandehurit, Lulzim Basha, i cili është deputet dhe ministër aktualisht. Dosja do të gjykohet nga një grup prej 5 gjyqtarësh, ndërkohë që shorti do të përcaktojë gjyqtarin relatues të kësaj çështjeje. Avokati i Bashës e ka cilësuar hetimin tërësisht politik, ndërkohë që ka vlerësuar gjyqtarët e Gjykatës së Lartë si profesionistë, duke shtuar se do respektojnë vendimin e saj. Ndërkohë që sot në Gjykatën e Tiranës, prokurori i kësaj çështjeje, Arben Kraja, ka depozituar kërkesën për përjashtim të gjyqtares Fatmira Hajdari nga gjykimi i kërkesës për pavlefshmëri të njoftimit të akuzës dhe fletëthirrjes për ministrin e Jashtëm, Lulëzim Basha, i cili i ka konsideruar këto dy akte si të pavlefshme.